Cristiano Ronaldo shpëtimtari i Juventusit. CR7 shënoi dygolësh në transfertën e Udines, duke zhvlerësuar golin e shënuar nga Molina që në minutën e 10-të. Ylli portugez realizoi dy herë brenda 6 minutave lojë në fundin e sfidës, duke u dhënë tri pikë me shumë vlerë bardhezinjve, që duhet të jenë shumë të kujdesshëm në katër sfidat e fundit për të mos përfunduar jashtë zonësh Champions.
Juventusi zhvilloi një pjesë të parë relativisht të dobët, pa mundur të reagonte si duhet pas golit të Molinës. Gjithsesi, atëherë kur sfida po i drejtohej fundit, në momentin e ekzekutimit të një goditjeje të lirë nga Ronaldo, topi përfundoi në dorën e një futbollisti që formonte murin. Nga pika e bardhë nuk gaboi CR7, që realizoi edhe golin e përmbysjes një minutë para fundit të kohës së rregullt. Juventusi renditet në vendin tretë, me 69 pikë, sa Atalanta dhe Milani.
Me Interin kampion dhe çështjen e rënies nga kategoria pothuajse të zgjidhur, lufta për Champions bëhet motivi i vetëm i interesit në Serie A, ku janë 5 ekipe. Juventus, Atalanta, Milan, Napoli dhe Lazio me një ndeshje më pak, që luftojnë për tre vende.