Cristiano Ronaldo doli në konferencë për shtyp para ndeshjes me Lokomotivën e Moskës, ku foli edhe për diferencat mes Sarrit dhe Allegrit. CR7 theksoi se me trajnerin aktual Juventusi është përmirësuar, ndërsa ai ka më shumë liri veprimi.
“Me Sarrin kemi ndryshuar për t’u përmirësuar. Unë kam më shumë liri. Kemi ende gjëra për të rregulluar, por unë jam shumë i kënaqur. Më pëlqen ajo që Sarri kërkon që ne të bëjmë në fushë. Krahasuar me të kaluarën, krijojmë më shumë raste dhe e kemi më shumë në kontroll topin”, tha Ronaldo.
Në moshën 34-vjeçare, CR7 vazhdon të mahnitë në nivelet më të larta të futbollit, por për sa kohë mund ta ruajë këtë ritëm?
Për mua, nuk ka rëndësi mosha, është vetëm një numër. Për aq kohë sa do ta ndiej që mund t’ia dal të bëj atë që dua, do të luaj. A dëfrehem me Higuainin dhe Dybalan? Dëfrehem me të gjithë shokët, janë të gjithë të fortë, edhe Cuadrado e Bernardeschi.
Si ka ndryshuar mënyra juaj e të luajturit në krahasim me të kaluarën?
Unë mendoj se skuadra po bën më mirë, kemi më shumë besim tek vetvetja dhe po luajmë një futboll ndryshe nga e kaluara. Ne jemi më shumë sulmues, të pozicionuar më saktë. Roli im? Më përshtatet, mbase me pak më shumë liri. Ne jemi akoma duke u përmirësuar, por e bëjmë këtë gradualisht.
A është më e vështirë për ju të fitoni “Topin e Artë” apo Ligën e Kampionëve me Juventusin?
“Top i Artë” ka qenë çdo vit një sfidë për mua. Sidoqoftë, mbi gjithçka vlen skuadra, Juventusi. Ne duam të fitojmë kampionatin (Serie A) dhe Ligën e Kampionëve. Juvetusi duhet të mendojë si skuadër e madhe, kështu që do të përpiqemi t’i fitojmë të gjithë trofetë e mundshëm. Nuk do të jetë e lehtë, por gjithçka është e mundur. Gjëja e rëndësishme nuk është individi. Nëse fitoni në nivelin kolektiv, atëherë keni triumfuar edhe individualisht.
Kush duhet ta fitojë “Topin e Artë”?
Nuk është e rëndësishme. Gjëja më me rëndësi janë trofetë kolektivë. Ajo që ka rëndësi është fitorja e ndeshjes nesër. Nëse dalim me tri pikët, do të jemi 50% të kualifikuar në grup.
Çfarë ju pëlqen te trajneri Sarri?
Më pëlqen mënyra se si ai dëshiron të luajë, si skuadër. Ka më shumë besim, krijojmë më shumë raste. Ajo që ka ndryshuar është mënyra se si lëvizim në fushë. Ndoshta nuk shënojmë gola aq sa duam, por krijojmë. Jemi të parët në kampionat, të vendosur mirë në Ligën e Kampionëve, sezoni ka filluar mjaft mirë. Kemi gjëra për të përmirësuar, por deri më tani jemi të kënaqur me atë që po bëjmë.