“Kur pësova lëndimin tim të parë dhe më seriozin në gju, më thanë se nuk do të mund të luaja kurrë më, se nuk do të mundë të ecja më. Unë ndihesha sikur ma kishin marrë të gjithë jetën. Në ato momente kufijtë e mi u testuan dhe unë luftova për t’i ndryshuar ato mendime dhe t’ua tregoja të gjithëve se unë mund ta bëja atë që e doja më së shumti“.
Kjo është një pjesë nga letra që Ronaldo fenomeni u ka shkruar tifozëve të Valladolid, klubit të La Liga, të cilin ai e ka në pronësi, për t’i inkurajuar ata në këtë periudhë të vështirë që po kalon e gjithë bota. ”Ne jemi të ndarë nga distanca fizike, por jam i bindur se kurrë nuk kemi qenë kaq afër. Ne po qëndrojmë tw mbyllur për veten tonë, për ata që duam, për familjen tonë – vazhdon letra e brazilianit – Kam vendosur ta shkruaj këtë letër për t’ju falënderuar për rezistencën, për durimin, kujdesin dhe optimizmin tuaj përkundër të gjitha vështirësive, sfidave dhe humbjeve që po ndeshim në këtë periudhë të vështirë. Futbolli më ka mësuar shumë gjëra “.
“Në fund, momenti erdhi, ndoshta më i rëndësishmi i karrierës: në vitin 2002, në Japoni, po luaja në finale të Kupës së Botës me Brazilin. Kam shënuar 2 gola kundër Gjermanisë, për vendin tim, titulli i pestë si kampion; për mua, kurorëzimi i kthimit tim. Jam i sigurt se edhe ju, kur të ktheheni prapa në mendime, do të mendoni për rastet e shumta kur u ngritët, nga të gjitha betejat tuaja, dhe sa herë keni arritur t’i kaloni momentet e këtilla gjatë jetës tuaj, ta bënit të pamundurën të mundur dhe të arrini të jeni personi që jeni tani. Ne jemi bashkë dhe do të dalim më të fortë nga e gjitha kjo”, përfundon Ronaldo letrën dërguar tifozëve.