“Unë dhe Messi së bashku? Gjithçka është e mundur. Me siguri do të shisnim shumë fanella. Nuk kemi darkuar kurrë së bashku, por do të më pëlqente“. Krahasimi i përjetshëm me rivalin Messi dhe sugjestionimi i fundit për të ardhmen, vjen në versionin integral të intervistës së dhënë nga Cristiano Ronaldo për Piers Morgan, disa pasazhe të së cilës kishin dalë paraprakisht me polemikat kundër United.
“Messi është një futbollist i pabesueshëm, magjik. Si njerëz, ndajmë të njëjtën skenë prej 16 vitesh, kemi një raport të madh. Nuk jemi miq, por është si një shok skuadre, dikush që e respektoj se si flet për mua, se si bashkëshortja e tij flet për timen. Mund të them vetëm gjëra të mira për Messin. Është lojtari më i mirë që kam parë, bashkë me Zidane“.
Për sa i përket Botërorit te dera, Ronaldo lëshon një deklaratë të bujshme.
“Nëse Portugalia fiton Botërorin, s’më intereson kush shënon. Një finale me Argjentinën e Messit? Nëse fitojmë 3-2 dhe unë shënoj golin vendimtar, tërhiqem që atë moment nga futbolli“.
Ndërkohë për sa i përket të ardhmes, Ronaldo shprehet: “Dua të luaj edhe 2-3 vite të tjera. Dua ta mbyll 40 vjeç, në moshën e duhur. Por nuk e di, ndonjëherë bën plane, por jeta t’i ndryshon”.
CR7 i afrohet në këtë mënyrë Botërorit.
“Do të jetë e vështirë të luaj një tjetër. Por për këtë aktual jam shumë optimist. Kemi një trajner fantastik dhe lojtarë të shkëlqyer, jam i sigurt se do të bëjmë një Botëror të pabesueshëm. Kam ëndërruar ta fitoj, do të jetë e vështirë, por gjithçka është e mundur. Do ta provojmë. Nuk jemi favoritët, nuk kemi qenë kurrë dhe nuk ishim as kur fituam Europianin. Favoritet e mia janë Franca, Spanja, Argjentina, Gjermania, Brazili dhe Anglia. Mendoj se mund ta fitojnë, ashtu si dhe ne”.
Për sa i përket lamtumirës nga Manchester United, Ronaldo shprehet:
“Tani mendoj vetëm për Portugalinë, dhe për Botërorin, i pesti dhe i fundit për mua. Nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas. Nuk e di nëse do të jem ende tek United. Ndoshta do të ishte më mirë si për ata ashtu edhe për mua nëse nisnim një kapitull të ri. Unë ndihem shumë mirë, jam i bindur se nëse do të më lejonin do të shënoja edhe shumë gola. Është e vështirë të them nuk do të kthehem, të shohim. Por tifozët do të jenë gjithmonë në zemrën time“.
Me siguri Ronaldo nuk do të ndjekë paratë për të shkuar në Arabi.
“Oferta e arabëve prej 350 milionë eurosh ishte e vërtetë, por unë e refuzova. Agjenti im ka 100 lojtarë, kur takohet me ndonjë skuadër nuk është gjithmonë për mua. Kisha shumë oferta. Dhe kam pagën më të lartë në histori. Nuk është e vërtetë që askush nuk më donte, por unë doja United dhe nivelet më të larta“.
Në qendër të polemikave mbetet mbi të gjitha, trajneri i Djajve të Kuq, Ten Hag.
“Kanë ndodhur shumë gjëra. Mendoj se ishte një strategji e klubit të më shtynin deri në limite, pasi donin që të largohesha. Jo vetëm trajneri, por edhe 2-3 drejtues të nivelit të lartë. U ndieva i tradhëtuar, kuptova që kishte nga ata që nuk më donin në Manchester, jo vetëm këtë vit, por edhe sezonin e shkuar“.
Një episod kyç është ai i kërkesës për të hyrë në fushë në tri minutat e fundit ndaj Tottenham.
“Jam bërë pishman që u largova më përpara, por trajneri më provokoi. Donte të më fuste për tri minuta, unë nuk jam ai tip lojtari. Në ndeshjen me Rayon ishim 9 lojtarë që ikëm, por përmendën vetëm emrin tim. Flasin vetëm për delen e zeze, për mua, për çdo gjë është faji im. E bëra, kërkova falje dhe për mua mbyllej aty. U ndjeva i provokuar, për gjithçka kishte ndodhur më parë. Trajneri nuk më respektoi. Për këtë them që nuk e respektoj, pasi ai nuk më respekton mua. Nuk jam bërë pishman që nuk u futa, nëse nuk më respekton, edhe unë nuk kam respekt për ty“.
Kritikat e Ronaldos në drejtim të United shkojnë edhe më tej.
“Më vjen keq që u largova, por më zhgënjeu komunikata e klubit për 3 ditët e pezullimit. Ishte e turpshme, u ndjeva i poshtëruar. Kujtoj se kur u ktheva në shtëpi i thashë djalit që më kishin dënuar dhe ai më pyeti: ‘Si është e mundur që dënojnë më të mirin në botë?‘ I thashë pasi sipas tyre isha sjellë keq, dhe nuk më besoi. Nuk jam perfekt, kërkova falje, por ai pezullim ishte i tepërt, u bë vetëm për shtypin”.
Deklarata të forta ndërkohë edhe në lidhje me pronarët e klubit familjen Glazer.
“Pronarëve nuk ju bëhet vonë për klubin, shohin vetëm marketingun. Marrin paratë dhe nuk ju intereson ana sportive. Nuk kam folur kurrë me ta. Ja japin gjithë pushtetin presidentit dhe drejtorit sportiv. Për Manchester United do të jetë e vështirë të jetë në maja në vitet e ardhshme nëse nuk ndryshon struktura“.