Cristiano Ronaldo ka folur së fundi për kalimin e tij nga futbolli europian tek ai arab. Janarin e shkuar ai u bashkua me Al Nasr dhe tani po merr ‘meritat’ e transferimit të yjeve të tjerë në Arabi, si Benzema, Brozoviç dhe Milinkoviç-Saviç:
“Ku shkoj unë, ka më shumë interes: edhe Serie A, kur shkova (Juventusi 2018) ishte një kampionat i vdekur dhe më pas u rinua. Tani po ndodh kjo gjë edhe në Arabi, ndihem 100% pionier dhe jam i sigurt se shumë shpejt do të vijnë këtu shumë kampionë të tjerë”, – ka theksuar portugezi.
CR7 tregohet i pamëshirshëm kur flet për kampionatet europiane: “Besoj se kanë humbur shumë cilësi, e vetmja ligë që për mua mbetet superiore është Premier Liga. La Liga, ashtu si Bundesliga, nuk janë të forta si më parë. Unë nuk do të luaj më në Europë, për mua është një derë e mbyllur, jam 38 vjeç e gjysmë”.
Pastaj edhe një fjali, që mund të jetë një shigjetë ndaj rivalit të përhershëm, Lionel Measit, që sapo është prezantuar tek Inter Majemi: “Jam i sigurt se Saudi Pro League është më mirë se MLS”.
Në fund, për të ardhmen e futbollit arab, Ronaldo shton: “Do të jetë mjaft kompetitiv, e kam thënë se do të kthehej i tillë brenda tre vjetësh. Me këtë hap muajt e ardhshëm do të kalojë me siguri, për shembull, kampionatin turk apo atë holandez”.