Pasi kaluan grupet e “Copa America” në mënyrë krejtësisht të ndryshme, Brazili dhe Argjentina tani mund të takohen në gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Dominuesit e Grupit A, mikpritësit e turneut, do të duhet të kapërcejnë Paraguajin, së pari, ndërsa Albiceleste kanë punë me Venezuelën.
Për skenarin, atë të një sfide të mundshme mes Argjentinës dhe Brazilit, foli edhe Ronaldo. “Fenomeni” e bëri këtë për mikrofonët e “Marca”: “Unë mendoj se ky rivalitet mes tyre i ka bërë Argjentinën dhe Brazilin më të mirë. Antagonizimi i plotë na bën konkurrues, në mënyrë që njëri të jetë më i mirë se tjetri. E shikoj tejet të shëndetshme këtë gjë. Përveç rivalitetit të futbollit, nuk kemi asgjë kundër argjentinasve. Kam shumë miq në Argjentinë, kam qenë shumë herë atje. Shumë argjentinas kanë ardhur në Brazil për pushime, pra ekziston një marrëdhënie miqësore. Ne i quajmë vëllezërit tanë, argjentinasit këtu në Spanjë, kështu që ka një marrëdhënie të mirë mes dy vendeve”.
Brazil-Argjentinë do të ishte një sfidë tejet interesante, në të cilën, fokusi kryesor do të ishte mbi Lionel Messin, me siguri.
“Pleshti”, pavarësisht se nuk ka fituar kurrë trofe të mëdhenj me kombëtaren, mbetet një yll i madh për botën e futbollit, edhe për Ronaldon. Një lojtar, që “Fenomeni” do ta shihte me kënaqësi duke luajtur për një jetë të tërë, pa u mërzitur: “Leo është një lojtar, që i bën njerëzit të gëzojnë. Ky lloj krahasimi mes performancës së tij me Argjentinën dhe asaj me Barcelonën është i padrejtë. Unë besoj se ka një ndryshim mes dy situatave sportive. Jam i sigurt se Leo dëshiron të japë më të mirën për ekipin e tij kombëtar dhe për këtë po sakrifikon shumë. Mos harroni se Argjentina nuk ka arritur të fitojë trofe për shumë vite, jo vetëm në epokën e Messit”.
Një “votëbesim” i rëndë ky për Messin, talenti i të cilit arrin të zbusë edhe rivalitetin midis dy kombeve, sepse ka hyrë në zemrën e çdo braziliani. Atje, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” konsiderohet ndoshta më i forti ndonjëherë, prapa Pele.