Me Cristiano Ronaldon në fushë, për Juventusin gjithçka është më e thjeshtë. Falë dy golave të CR7, të shënuar në fundin e pjesës së parë, “Zonja e Vjetër” bëri detyrën ndaj Cagliarit në “Allianz Stadium” e tashmë i bën presion Milanit në krye të renditjes.
Cagliari po u rezistonte më së miri sulmueve të bardhezinjve, por në minutën e 38-të, Ronaldo i krijoi mundësi vetes për të goditur brenda zonës, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit Cragno. Vetëm katër minutave më vonë shënoi të dytin me një gjysmë akrobaci, duke i vrarë përfundimisht shpresat e ishullorëve për të marrë rezultat pozitiv në këtë transfertë.
Në pjesën e dytë Demiral goditi traversën, ndërsa Alvaro Morata dhe Bernardeschi iu afruan ndjeshëm golit, por nuk patën shënjestër ne duhur.
Cagliari mundi të dërgonte topin në rrjetë në minutën e 69-të, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Dhe kështu CR7 ka barazuar në klasifikimin e golashënuesve Zlatan Ibrahimovic, 8 secili, një garë që duket se do të vazhdojë deri në fund. Një kuriozitet: Si portugezi, ashtu edhe suedezi kanë humbur dy gara pasi u prekën nga koronavirusi. Por për të ndaluar këta të dy, duhet më shumë se kaq…