E mposhti koronavirusin të shtunën, pas një periudhe 18-ditore në izolim dhe të dielën jep show. Andrea Pirlo e grumbulloi për sfidën ndaj Spezias dhe CR7 tregoi se sa i etur ishte për të zbritur në fushë: shënoi gol pas vetëm 3 minutash lojë (u aktivizua në minutën e 56-të), si dhe atë të rezultatit përfundimtar 1-4 në minutën e 76-të me 11-metërsh.
Më parë për Juventusin kishte zhbllokuar rezultatin Alvaro Morata në minutën e 14-të, ndërsa në të 32-tën Pobega barazoi përkohësisht rezultatin, me skuadrat që shkuan në dhomat e zhveshjes në ekuilibër të plotë.
Pikërisht në momentin kur duhej, CR7 ju përgjigj apelit të Pirlos. I dha epërsinë “Zonjës së Vjetër” si dhe mbylli llogaritë, pak pasi Rabiot e kishte çuar rezultatin në 1-3. Asgjë për t’u çuditur, nga një futbollist si CR7 mund të presësh gjithçka. Keqardhja e madhe e tij është për pamundësinë për të qenë në fushë kundër Lionel Messit në Champions.
Fitore e pabesueshme 3-4 e Lazios në fushën e Torinos, sfidë në të cilën luajti titullar në radhët e bardhekaltëre Vedat Muriqi, ndërsa në skuadrën “Granata” startoi nga minuta e parë Mërgim Vojvoda. Pra dy “dardanë” kundër njëri-tjetrit.
Pereira i dha epërsinë e përkohshme Lazios që në minutën e 15-të, por Torino përmbysi shumë shpejt shifrat me golat e Bremer dhe Belottit me 11-metërsh.
Milinkovic-Savic barazoi rezultatin me një goditje të lirë sapo nisi pjesa e dytë, ndërsa një gabim i rëndë në mbrojtje, në kthimin e topit, i dha mundësinë Lukicit të shënonte golin e tretë për Torinon.
E pabesueshmja ndodhi në limitet e kohës shtesë, kur fillimisht Ciro Immobile, i aktivizuar në vend të Muriqit, barazoi shifrat me një 11-metërsh, që u sinjalizua vetëm pas ndërhyrjes së sistemit VAR, për devijim të topit me dorë nga dy mbrojtës të Torinos, ndërsa vetëm pak çaste më vonë Caicedo arrin të shtyjë topin në rrjetë pas një rrëmuje në zonën e vendasve, duke bërë që të shpërthente festa në stolin e lacialëve për një fitore që erdhi me dy gola të shënuar në minutat 90+5′ dhe 90+8′.