Cristiano Ronaldo, është rikthyer te flasë sërish për të kaluarën e tij, kur u bashkua me Manchester United. Sulmuesi portugez u shpreh se ishte pranë kalimit te Manchester City, ndërsa shtoi se vendimin për këtë, ia ndryshoi Ferguson dhe e kaluara te United.
Në lidhje me Rangnick, ai tha se nuk e kishte parë kurrë si trajner, ndërsa nuk i kurseu fjalët e mira për Solskjaer.
“E them sinqerisht, unë isha shumë afër kalimit te Manchester City, bisedova shumë me ta, e tha edhe Guardiola dy javë më parë. Ata u përpoqën shumë të firmosnin me mua. U habita disi, por zemra ime foli me zë të lartë në atë moment.
Historia që kisha në Manchester United dhe Sir Alex Ferguson bënë ndryshimin. Unë nuk e mohoj, e mora me vetëdije dhe zemër vendimin për t’u rikthyer. Fola me Ferguson dhe ai më tha: ‘Është e pamundur që ti të shkosh në Manchester City‘. Unë iu përgjigja: ‘Mirë, shef’.
Nuk mund t’i ktheja shpinën të kaluarës sime. Nuk pendohem që u riktheva tek United, biseda me Ferguson ishte vendimtare, aty kuptova se nuk mund të bëhesha pjesë e Manchester City. Rangnick? E thërrisja shef si gjithë trajnerët e tjerë në karrierë, por thellë brenda vetes nuk e pashë kurrë si një trajner.
Solskjaer? E adhuroj, mendoj se ai është një person i mrekullueshëm, por nuk e kishte të lehtë të bënte gjëra të bukura pas largimit të Ferguson. Gjithsesi, unë mendoj se Ole ka zhvilluar një punë të mirë si trajner i United, por ai kishte nevojë për më shumë kohë. Nuk kam dyshime se do të bëhet një trajner i mirë. Edhe pse kaluam një periudhë të shkurtër së bashku, di të them se ishte kënaqësi të punojë me të, isha i lumtur”.
Ronaldo tregoi edhe pse ka vendosur të flasë në këtë moment, ku deklaratat e tij po bëjnë xhiron në media.
“Pse flas? Sepse kështu e ndjej, më pëlqen të flas. Nuk arrij të kuptoj një gjë, tek United vijnë trajnerë që mendojnë se janë ‘Coca Cola’ e fundit që ka mbetur në shkretëtirë… Unë i respektoj të gjithë, çdo qasje dhe mentalitet të ndryshëm, por në disa pika nuk mund të pajtohem vërtet.
Nuk mund të them se lojtarët e rinj nuk i respektojnë më të vjetrit, por të rinjtë jetojnë në një epokë tjetër. Mentaliteti nuk është i njëjtë. Ndryshimi është tek uria, inati… Të rinjtë e sotëm nuk vuajnë, i jetojnë gjërat më thjeshtë krahasuar me brezin tim”.