Lojtari i Juventusit, Cristiano Ronaldo, kapërceu Rui Costa si golashënuesi kryesor portugez në historinë e Serie A. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” shënoi me penallti në pjesën e parë, në fitoren 2-0 të Juventusit ndaj Bolonjës, një rezultat që i pa bardhezinjtë të distancohen me katër pikë në krye të renditjes. Ky ishte goli i 22-të i Ronaldos në Serie A, këtë sezon, një më shumë se sa realizoi në edicionin e tij debutues në Torino, pas lëvizjes nga Real Madridi, më 2018.
Me arritjen e 43 golave në Serie A, 35-vjeçari kaloi përpara Rui Costa, si lojtari portugez me më shumë gola në elitën e futbollit të Italisë. Rui Costa kaloi 8 vite në Serie A, duke luajtur për Fiorentinën dhe më pas Milanin midis viteve 1994 dhe 2006. Ish-ylli i Manchester United, Ronaldo, mbetet golashënuesi më i mirë portugez në historinë e Premier League, me 84 “rrjeta” në 196 ndeshje. Po ashtu, ai është edhe golashënuesi kryesor portugez në historinë e La Liga-s, ku ka realizuar 311 gola në 292 ndeshje për Real Madridin. Me klubin e bardhë është golashënuesi kryesor i të gjitha kohërave.
Vetëm rivali më i madh personal i Ronaldos, kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, ka shënuar më shumë gola në La Liga. CR7 është kritikuar kohët e fundit, pasi humbi një penallti kundër Milanit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Ai dështoi të kishte ndikim edhe në finale, kundër Napolit, ku bardhezinjtë u mposhtën përmes goditjes së penalltive. Humbja e fundit e Kupës së Italisë shënoi të vetmen herë në karrierën e Ronaldos, që ai humb dy finale të njëpasnjëshme, pasi ishte mposhtur edhe nga Lazio në Superkupën e Italisë në fundin e vitit 2019.