Një urë historike pritet të çmontohet në Holandë në javët e ardhshme për të mundësuar kalimin e jahtit superluksoz të Jeff Bezos.
Lajmi është konfirmuar dhe nga vetë miliarderi, i cili ka premtuar se do të paguajë gjithçka për shqetësimin që do t’iu shkaktojë autoriteteve në qytetin e Roterdamit.
Edhe një zëdhënës i kryebashkiakut të Roterdamit konfirmoi çmontimin e urës historike për të kaluar jahti, teksa theksoi se e gjithë fatura do të paguhet nga Bezos.
“Është e vetmja rrugë për në det”, tha zëdhënësi i kryebashkiakut. Agjencia e lajmeve AFP citoi zyrën e kryetarit të bashkisë së Roterdam të thoshte se vendet e punës që u krijuan për ndërtimin e superjahtit nxitën miratimin e këtij plani, duke u zotuar se ura do të rindërtohet në formën aktuale.
Jahti 127 metra i quajtur “Y721” që ka kushtuar 400 mln paund do të jetë një ndër varkat më të mëdha të lundrimit në botë kur të përfundojë këtë vit dhe do të kalojë dhe anijen e pasagjerëve Sea Cloud.
Ai është duke u ndërtuar në portin e Alblasserdam në perëndim të Holandës dhe për të dalë në oqean do të duhet çmontimi i urës ikonike të Roterdamit që njihet nga vendasit me emrin “De Hef”.