Nga Avni Alcani
Dikujt mund t’i duket i çuditshëm titulli i mësipërm, pasi nuk është dëgjuar kurrë për ekzistencën e kësaj bime të rrallë, siç është bima e rozmarinës, që mund të rritej në male e Çermenikës. As unë nuk e kam ditur, por as nuk e kam besuar kurrë se kjo bimë mund të ekzistonte në gjendje të egër në malet e krahinës sonë.
Me bashkëshorten time, Lindën, kishim planifikuar prej kohësh që, në ditën e lindjes sime, të kalonim një fund-javë në luginën e bukur të Fush-Studnës, si dhe të bënim një udhëtim në Parkun Kombëtar të Shebenikut. Fillimisht u interesuam për të marrë informacionin mbi gjendjen e rrugës dhe, pasi morëm “garancinë” se ajo ishte e kalueshme për automjetin tonë, u nisëm. Ishte data 13 gusht 2020. Rruga automobilistike nga qyteti i Librazhdit dhe deri në Zgosht ishte shumë e mirë, por, sapo kaluam Zgoshtin, rreth 3-4 kilometra pas tij, asfalti përfundoi. Më tej rruga ishte skandaloze: me gropa të shumta, gurë të mëdhenj të rënë nga lartësitë, kanale (gorre) të hapura nga vërshimi i shiut etj. Dukej se për mirëmbajtjen e rrugës nuk ishte vënë dorë prej vitesh. “Mercedesi” im po “ankohej” nga rruga dhe unë fillova të ndjeja keqardhje për të. Qëndruam një moment, pasi ishim në dilemë për të vijuar më tej rrugëtimin tonë. Bëmë dhe 2-3 km rrugë të tjera, por… Ishte e pamundur të vazhdohej më tej. Ndaluam. Vëndi ku kishim qëndruar ndodhej midis Zgoshtit dhe Letmit. Pas një diskutimi të shkurtër, vendosëm që të ktheheshim.
Koha ishte e bukur, frynte një fllad i lehtë që e freskonte atmosferën e rënduar nga vapa e gushtit, kurse pamja (panorama) ishte fantastike, Nuk na bëhej që të lagoheshim nga ai vend i bukur, pasi na vinte keq të ktheheshim pa i shijuar edhe pak më tepër ato pamje të mrekullueshme. Vëndi ku kishim ndaluar na u duk shumë i përshtatshëm për të pushuar përkohësisht, si dhe për të ngrënë mëngjesin tonë.
Pasi mbaruam punë me mëngjesin, filluam të shijonim bukuritë natyrore të vendit ku kishim qëndruar (që për fat të keq nuk ia mësuam emrin). Poshtë nesh ndodhej një kanion i madh e i thellë. Rreth 400-500 metra poshtë tij gjarpëronte zalli i Lunikut, ujërat e të cilit burojë diku në Malin e Kaptinës, afër Kostenjës. Përballë kishim pyjet dhe tokat e Funarësit, në të djathtë dukeshin arat e lagjes Vërri (Hoxhjet) të Neshtës, kurse në të majtë dukeshin në horizont shtëpitë dhe tokat pjellore të fshatit Kuturman. Asgjë nuk pipëtinte, veç zërit të zogjve, zhukatjes së bletëve që kullosnin lule më lule dhe fëshfërimës nga era të gjetheve të pemëve.
Kurioz për të vrojtuar dhe njohur natyrën, fillova të vëzhgoj pemët dhe bimët rreth e rrotull nesh. Aty kishte lloj-lloj bimësh të egra, disa prej tyre kishin lule shumë të bukura, të cilat i shikoja për herë të parë. Më tërhoqën vëmendjen midis tyre dy bimë. Njëra ishte bima e rigonit, e cila e kishte shtatin të shkurtër, por kishte një aromë të fortë. Të tilla kishte me shumicë. Kurse bimën tjetër nuk e njihja. Edhe ajo kishte një aromë të këndshme e të fuqishme. Bima e panjohur ishte shumë e shkurtër, rreth 10 deri 20 cm, kishte trupin (trungun) me ngjyrë kafe, gjethe në formë halash të shkurtëra dhe të gjelbëra (si të bredhit), lule të vogla ngjyrë manushaqe të hapur etj. Nga pamja e trupit, gjetheve, luleve dhe aromës ajo ngjante shumë me rozmarinën. Këtë ia thashë edhe Lindës, e cila, pasi e pa dhe nuhati aromën e saj, e miratoi konstatimin tim. Por bima ishte shumë e shkurtër dhe nuk na ngjasonte nga pëmasat me bimën (shkurren) e rozmarinës që ne e njohim, as me rozmarinn që ne kultivonim në kopshtin tonë të vogël në Tiranë, të cilat kanë një gjatësi nga 50 cm deri në 300 cm. Këputa disa degë me gjethe dhe lule të kësaj bime interesante, të cilat i mora me vete. Isha ende në dilemë, në se ajo bimë ishte një rozmarinë dhe kjo duhej vërtetuar.
***
Pasi u ktheva në Tiranë, fillimisht kërkova një informacion më të zgjeruar për bimën e rozmarinës. Nëpërmjet faqes së internetit (në google) pashë disa shkrime informative të nxjerra nga enciklopedia (Wikipedia). Aty mësova se Rozmarina (Rosmarinus officinalis L. apo Salvia rosmarinus Schleid) ishte një bimë shumëvjeçare aromatike, që i përkiste familjes Lamiaceae. Ajo rritej në zonën mesdhetare, në vendet me gurë gëlqerorë dhe me kodrina. Në enciklopeditë rozmarina konsiderohej si një shkurre që arrinte lartësinë nga 50 cm deri në 3 metër, kurse rozmarina e jonë, megjithëse i kishte të gjitha përshkrimet me ato të internetit, si kërcellin me ngjyrë kafe të çelët, gjethet në ngjyrë jeshile të e errët, lulet etj,, nuk e kalonte lartësinë prej 20 cm. Për këtë shkak vendosa që të konsultohesha me mikun tim të hershëm, zotin Myxhahit Bashmili, studiues i mirënjohur i bimëve në trevat e Librazhdit dhe Elbasanit. Myxhahiti pati krijuar në vitet ‘80 një herbarium të madh, me mbi 20 000 bimë të ndryshme të trevave të Librazhdit, të cilat i kishte klasifikuar mbi kritere shkencore, duke u vendosur bimëve emrin shkencor dhe, krah tyre, emrin popullor. Për fat të keq ai koleksion bimësh të rralla, që ishte një pasuri shumë e vyer për qytetin e Librazhdit, sot nuk ekziston më.
Për shkak të situatës (Covid-19), kontaktin me mikun tim e bëra me anë të aparatit tim të iPhone-it. Unë ia përshkrova me hollësi bimën që kisha zbuluar në malet e Çermenikës, duke i dërguar fotografinë e rozmarinës. E pyeta mikun tim në se mund të ekzistonte në Shqipëri rozmarina në gjendje të egër dhe ai u përgjigj: “po”. Mexhaiti më tha gjithashtu se bima e rozmarinës së egër ishte përfshirë në një atlas botanik, të titulluar: “Distribution atlas of vascular plants in Albania” (Atlasi i shpërndarjes së bimëve vaskulare në Shqipëri), 2017, botuar nga Muzeu Historik Natyror Hungarez, me autorë: Zoltán Barina, Muzeu Historik Natyror Hungarez; Alfred Mullaj, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës; Dániel Pifkó Biblioteka Arsimore Kombëtare, Muzeu i Hungarisë dhe Gabriella Somogyi, István University, Godollo. Kjo bimë nuk ishte e përfshirë në atlasin “Flora Albanica Atlas” (Atlasi i Florës Shqiptare), Vol I, i autorit Jani Vangjeli, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës (së shpejti do të dale Vëllimi i II ku përfshihet Rozmarina dhe familja e saj Buzore!). Duhet theksuar se ka qenë studiuesi hungarez Dániel Pifkó, i cili, gjatë një ekspedite informative në vitin 2011, zbuloi dhe bëri të ditur ekzistencën e rozmarinës së egër në Shqipëri.
Rozmarina e egër ka një përdorim të gjerë në mjekësi dhe, në mënyrë të veçantë, në kulinari (kuzhinë). Studiuesit që janë marrë me studimin e përbërësve të saj kanë konstatuar se përdorimi i rozmarinës ndihmon në rritjen e sistemit imunitar dhe përmirësimin e qarkullimit të gjakut. Studimet laboratorike kanë treguar që rozmarina është e pasur me antioksidantë, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në neutralizimin e grimcave të dëmshme yndyrnash të quajtura radikale të lira. Në Evropë rozmarina përdoret shpesh për të ndihmuar në trajtimin e dispepsisë (dhimbje e stomakut), përmirëson kujtesën dhe përqendrimin, parandalon plakjen e trurit etj. Studiuesit e Universitetit të Kiotos në Japoni zbuluan se rozmarina mund të ndihmojë ndjeshëm në parandalimin e plakjes së trurit, ka efekte diferenciale anti-proliferuese (kundër shumimit të qelizave kanceroze) në leuçeminë njerëzore dhe qelizat e karcinomës (kancerit) së gjirit. Shkencëtarët e ushqimit kanë zbuluar se bimët popullore të kuzhinës, si rozmarina, rigoni dhe marjorama (rigoni i Çamëve), përmbajnë përbërje që mund të kenë potencialin për të menaxhuar diabetin e tipit 2 në një mënyrë të ngjashme me disa ilaçe të përshkruara aktualisht.
***
Rreth dy muaj më vonë (tetor 2020), sërish me bashkëshorten time, Lindën, u ngjitëm në Malin e Dajtit të Tiranës për të shijuar bukuritë natyrore të atij mali, për të pirë një kafe, si dhe për të t’iu larguar atmosferës së zymtë që ka krijuar epidemia botërore e Co-19. Kishim qëndruar pranë vendit të quajtur “Kampi i pushimit” dhe, çuditërisht, aty hasëm bimën e egër të rozmarinës, fotografinë e së cilës po e sjell bashkëngjitur me këtë shkrim.