Një shpërthim i fuqishëm me tritol ka rrafshuar hotel “Bizantin” në qytetin e Sarandës mëngjesin e kësaj të hëne. Shpërthimi ka qenë tepër i fortë dhe sasi e përdorur e lëndës plasëse ka qenë në sasi të madhe aq sa ke hedhur në tokë të gjithë hotelin.
Shpërthimi ka ndodhur në lagjen Nr.1 të qytetit bregdetar dhe ka shkaktuar dëmtime edhe në shumë dyqane, biznese e ndërtesa të tjera që ndodhen aty pranë.
Fatmirësisht nga ngjarja e rëndë nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale. Theksojmë se hotelit të cilit iu vendos tritol për shkak të konflikteve të dyshuara të pronësisë, ishte i mbyllur dhe funksiononte vetëm gjatë sezonit veror.
Hotel “Bizanti” ishte ndërtuar që në vitin 1996 dhe ishte me dy kate. Biznesi ishte në pronësi të Spiro Çabirit dhe Evangjeli Dhimitrit.
Në njoftimin e policisë thuhet se për këtë ngjarje kriminale është ngritur një grupi i posaçëm hetimor me ekspertë më të mirë të Drejtorisë së Policisë së Vlorës dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale.
Dy bashkëpronarët janë në një proces gjyqësor për pronësin e këtij hoteli që prej vitit 2002.