Rrahman Rraja ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvend mandatin e tij si deputet i Partisë Socialiste. Kujtojmë që Rraja u tërhoq nga politika pas dhunës që përdori djali dhe pjesëtarë të tjerë të fisit të tij ndaj dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja.
“Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet.
Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova”, tha në një reagim Rrahman Rraja kur njoftoi tërheqjen nga politika.
Dhuna ndaj dy kushërinjve Maja u krye pas denoncimit të tyre për shpërthimet në gurore. Aktualisht për dhunën janë ndaluar dhe shoqëruar në polici 8 persona. Ndërsa në kërkim janë 6 persona. Një prej tyre është edhe djali i ish-deputetit Rraja, Rexhep Rraja.