Kulturë Rrëfehet publicistja dhe shkrimtarja shqiptaro-amerikane, ish- Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë,...

Rrëfehet publicistja dhe shkrimtarja shqiptaro-amerikane, ish- Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Raimonda Moisiu-Sade

Intervistoi: Marjana Zeneli Bulku

Raimonda Moisiu -Sade është një autore shqiptaro-amerikane, poete, romanciere, tregimtare, eseiste, përkthyese, gazetare e pavarur dhe një aktiviste për të drejtat e grave në egzil dhe një publiciste e njohur bashkëkohore, sociale dhe realiste.

Mbas përfundimit të studimeve për Gjuhë Angleze dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës, Albania, ajo punoi si mësuese e gjuhës angleze për disa vite në rrethinat dhe qytetin e Korcës, vendlindjen e saj.

Raimonda Moisiu -Sade njihet si “një nga autoret më të lexuara dhe më me ndikim në komunitetin shqiptaro-amerikan, në rrjetet sociale dhe në mërgim, letrat shqipe dhe letërsinë shqipe të Diasporës.

Njohja ime personale me Raimondën daton diku në vitin 2014-ë. Raimonda Moisiu-Sade ka qenë për dy mandate Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë. Me ardhjen e saj në krye të saj, Shoqata pësoi një ngritje përmes aktiviteteve të shumta promovuese. Ajo hodhi idenë e mbajtes se një simpoziumi shkencor për letërsinë dhe ishte ajo që zhvilloi për herë të parë simpoziumin e titulluar; “Letërsia dhe roli i saj në Diasporë”, një organizim që promovoi dhjetra e dhjetra shkrimtarë e poetë të njohur kombëtarisht dhe në egzil. Janë të njohura dhe të publikuara në median shqiptare dhe atë shqiptaro-amerikane dhe të Diasporës shqiptare kudo që gjendet, eventet madhështore të emërtuara, “Audiencë me shkrimtarë e poetë”, ku në qendër ishin profile krijuese të njohur të Letrave Shqipe dhe në Letërsinë e Diasporës. Si Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë,  Raimonda afroi shkrimtarët me akademikët, intelektualët me pedagogë të njohur amerikanë dhe shqiptarë në fusha të ndryshme, pasi shumë prej këtyre veprimtarive letrare, shkencore dhe atdhetare, zhvilloheshin në mjediset e universitetit Monroe, Bronx, New Jork USA, dhe i shëndrroi auditorët e kolegjit Monro, të flitej shqip, dhe të dëgjohej shkrimtaria dhe letërsia shqipe, për orë të tëra. Raimonda Moisiu e shtriu poezinë dhe Letërsinë e Diasporës edhe përtej New Jorku-t te Ditët e letërsisë shqipe në Miçigan, organizuar nga publicisti dhe botuesi i njohur i Revistës “Kuvendi” Pjetër Jaku. Ku Raimonda Moisiu do të merrte pjesë për vite me rradhë dhe do të përvitësonte krijimtarinë poetike dhe letraro-artistike, e cila është vlerësuar denjësisht me cmime kombëtare e ndërkombëtare. Do ta kujtoj gjithmonë si krijuesen modeste që krijimtarinë e saj e pa gjithmonë si proçes integrues i shkrimtarëve shqiptarë në mërgatë pa vënë kurrë në qendër veten e saj, por duke sjellë gjithmonë bashkë krijuesit dhe lëvruesit e letrave shqipe.

Dashamirësia për artin dhe letërsinë e kanë bërë një autore shumë prodhimtare, me dhjetra botime në publicistikë, proza letrare, vëllime me poezi, përkthime, esse, opinione, kritika letrare, ngjarje të jetuara, intervista, etj.

-Çfarë roli ka luajtur letërsia në jetën tuaj?

-Së pari dëshiroj t’iu falenderoj për këtë intervistë, ju ndjek me interes të veçantë dhe lexoj çdo shkrim tuajin që botoni në median shqiptaro-amerikane, shqiptare dhe rrjetet sociale. Më pëlqen stili juaj, gjuha e pasur, filozofia që shfaqni në to, më pëlqen përkushtimi dhe profesionalizmi tuaj.

Ju më pyesni për letërsinë dhe rolin e saj në jetën time. Më ka pushtuar të tërën, jam gati të bëj cfardo sakrifice për letërsinë dhe krijimtarinë time. Unë, megjithëse jam zonjë shtëpie, mund të rri me orë e orë të tëra mbi kompjueër, pa pirë edhe një kafe. Qysh në fëmijërinë dhe adoleshencën time, unë kam qenë një lexuese e pangopur e librave. Daja im i ndjerë, vëllai i vetëm i nënës sime, inxhinier pyjesh, pasionant mbresëlënës i letërsisë, dhe një bukinist i shkëlqyer do të ndikonte tek unë, mbesa e tij, me detyrimin ndaj leximit të  “bibliotekës sekrete” të tij në tavanin e shtëpisë, mjaft e pasur me libra të autorëve më të shquar botërorë që nga; Fan Noli e Konica, Tolstoi, Dostojevski, Aleksandër Dumas, Gorki, Petro Marko, Dritero Agolli, Ismail Kadare, Fatmir Gjata, Haki Stërmilli etj. Nuk e ekzagjeroj po t’iu them se në moshën 12 – 13 vjeçe kam lexuar librat e ndaluar për kohën: “Zonjusha me orkide” e “Belami” të Dumas,  “Qyteti i Fundit”, dhe “Hasta La Vista” të Petro Markos, “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit, “Marsejeza” e Justin Godart dhe “Nëna” e Gorkit.  Unë kam lindur dhe jam rritur në lagjen e aristokracisë myslimane të Korçës, e rrethuar nga erudicioni i dijes e kulturës i mësuesit Shefqet Selimaj, një burrë i mençur dhe i ditur, mësuesit tjetër për arsimin fillestar Haxhi Çili dhe mësueset, Zhani Zheku, Vasilika Grameno(mbesa e Mihal Gramenos)  dhe Nimete Shtylla. Mësuesi i gjuhës dhe i letërsisë në arsimin e hershëm, që ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm te unë – ishte Sotir Naçi, biri i mësuesit të shquar të Mësonjtores së Parë shqipe, Nuçi Naçi. Do dëshiroja të përmendja edhe mësuesen e letërsisë Liri Dhrima, në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja, ajo për mua ngelet modeli shëmbullor dhe profesional i dijeve, njohëse e shquar e gjuhës dhe e letërsisë shqipe e asaj botërore. Statura e saj qytetare, intelektuale e dijeve dhe e mësonjëses ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin tim. Kam qenë e rrethuar nga njerëz të shquar të artit, kulturës, arësimit, letrave shqipe, historisë, e rrethuar nga familje të mëdha historike ndër kohëra, si ajo; e bejlerëve Mytevelinj, e Merdanëve, e Tuxharëvë, e Tabakëve, e Profesorit dhe e historianit të shquar korcar, Nedim Thëllimi, e rrethuar nga fermerë fisnikë e modestë që gëzonin virtytet më të mira të njeriut, pra në lagjen ku lartësohet Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit të madh, themeluesit të Korçës moderne.  Kështu që unë u rrita dhe u edukova, duke vështruar erudicionin e mençurisë dhe urtësisë intelektuale e krijuese të atyre sa përmenda më lart. Të gjitha këto së bashku me kujdesin dhe rigorozitetin e nënës sime, si mësuese, ndikuan në formimin tim mendor të dijeve dhe pasionit tim për letërsinë. Dhe në vetminë time fillova të shkruaja atë c’ka më frymëzonte dhe shikoja për momentin. E shkruaja kudo, në fletoret e shkollës, në cepat bosh të librave, deri aty sa shkruaja me shkumës në dyert e shtëpisë, apo me pendën me bojë në cantën e shpinës. Të shkruarit është prirje dhe talenti është thjesht “kryenecësi”, që kërkon kohë, durim, vetmi dhe qetësi. Të shkruarit është ndjenjë e fortë e brendëshme që ka një kundërshtar të madh, që vjen e rritet përditë, -të konsideruarit “zanat”. Të jesh shkrimtar është një nga “zanatet” më vetmitarë në botë. Sepse një shkrimtar nuk është i ndryshëm nga një murator apo shofer autobuzi. Secili prej tyre vepron me disiplinë. Kjo nuk është detyrë e lehtë, sepse kërkon vetmi, përkushtim, kurajo, guxim dhe vullnet për ta bërë atë. Në kuptimin se ti vetë gjatë procesit të të shkruarit nuk je vetvetja, por është dikush tjetër. Shkrimtari është si ai  “gjeologu”, që rrëmon në thellësitë e shpirtit, kujtesës, mendimit dhe përvojave jetësore të tij, të njerëzve të afërt apo edhe të atyre që e rrethojnë. Në teatër, film apo në një zyrë, ke kolegët, regjizorët, aktorët apo producentët, etj, ndërsa kur shkruan je brenda botës tënde shpirtërore, emocionale dhe frymëzuese, krejt e vetmuar. Duhet të biesh në dashuri me të shkruarin dhe personazhin apo c’ka je duke shkruar për të, kjo të bën t’i tolerosh vetvetes, vetminë e të shkruarit dhe vëmendja është vetë-mposhtur në një mënyrë. Ka dy gjëra të vlefshme që lënë pas, të paktën për mua si shkrimtare; njëra është që shumicën e kohës gjatë procesit të të shkruarit e kaloj në një dhomë duke jetuar me veten në një botë imagjinare, dhe tjetra është për të përfshirë në këtë botë imagjinare gjerësisht në lidhje me atë se cfarë mund të bëjmë teksa në jemi me këmbë në tokë. Ajo më mori kohë për të kuptuar se çfarë duhet e si duhet të sfidosh që të bëhesh një shkrimtar, poet apo artist. Unë kam mbaruar arsimin e hershëm me rezultate të shkëlqyera, dhe më pas mora një të drejtë studimi në gjuhët e huaja, dega anglisht. Krahas gjuhës shqipe në Fakultetin e gjuhëve të huaja unë vazhdova për gjuhë dhe letërsi Angleze dhe Amerikane. Sic e theksova edhe më lart unë kam vite që shkruaj, që në fëmijërinë time, por kur erdha në Amerikë i solla me vete tërë “zhgaravinat” që kisha hedhur në disa fletore dhe mundësia e ballafaqimit me teknologjinë kompjuterike më dha mundësinë të shpalosja këtë aftësi, pasionin tim për letërsinë dhe për të shkruar. Tashmë, unë me mund e sakrifica, me mëndje të shëndoshë e krahë të fortë, kam krijuar profilin tim si autore që i përket Letërsisë Postkomuniste të Diasporës dhe si gazetare e pavarur -publicistika është pasioni im i pashuar ndonjëherë.

-Kemi lexuar veprat tuaja, ju ndjekim teksa bashkëbisedoni me personalitete kryesisht të kulturës, jeni reçensuese e shumë veprave dhe autorëve, a mund ta dimë se ku ndjeheni me mirë?

Jeta është sa e bukur po aq edhe çuditshme. Jeta është sfidë dhe nuk është ajo që secili nga ne ka ëndërruar apo vazhdon të ëndërrojë. Çdo gjë ndodh për një arsye, njerëz të ndryshëm, qofshin të afërt apo të largët hyjnë dhe dalin në jetën tonë. Çdo gjë në jetë është bashkëpunim, bashkëbisedim dhe mirëkuptim. Të gjithë faktorët natyrorë, njerëzorë dhe fizikë bashkëpunojnë dhe bashkëbisedojnë të prodhojnë mirëkuptimin, frymë e jetë, zhvillimin e shoqërisë dhe vazhdimësinë e jetës në këtë botë.  Unë kam punuar dhe vazhdoj të punoj shumë fort, që ta ndërtoj dhe ta menaxhoj jetën dhe krijimtarinë time. Nuk ka qenë e lehtë, me mund e sakrifica fizike, mendore, financiare dhe pasion, jam përpjekur gjithmonë që të jap më të mirën e të bukurën me shkrim. Dhe sa herë i hedh sytë krijimtarisë sime mendoj thellë në vetvete, se çfarë më duhet të shkruaj në të ardhmen, pra atë, të cilën nuk kam mundur ta bëja më parë. Të qenët shkrimtar, poet apo prozator, është mëse njerëzore, dhe jo luks. Unë kaloj netë pa gjumë, duke medituar për funksionimin e poezisë, po kështu unë meditoj edhe për prozën, analizat letrare apo publicistikën. Kjo mund të jetë më e vështira dhe seriozja për një autor, së paku për atë krijues që lëvron letërsinë artistike dhe publicistikën. Në fakt unë jam shumë e apasionuar pas publicistikës, dhe këtë e tregojnë intervistat që unë kam zhvilluar me personalitete të fushave të ndryshme, në dy gjuhë shqip dhe anglisht, dhe për hir të së vërtetës janë 201 intervista, 61 prej tyre të botuara tashmë në vëllimin e parë “Letrat shqipe këtej e përtej Atlantikut”, dhe aktualisht gjendem në pergatitjen e draftit për botim, me 140 intervista. Kam shkruar dhe vazhdoj të shkruaj pa fund, editoriale, kolumna dhe opinione për dhunën në familje, dhunën ndaj gruas, ndaj fëmijëve, ndaj adoleshencës, të dhunës seksuale maskiliste, për bashkëjetesën e dhunës sociale me atë politike e cila dëmton aftësinë e shoqërisë, duke dhënë mendimin dhe ndihmesën time qytetare, intelektuale dhe krijuese për të kuptuar dinamikën e rritjes së ndërgjegjësimit të vetë shoqërisë. Kam disa vite që merrem edhe me kritika, analiza dhe studime letrare, krijime këto që paraqesin raportin njerëzor mes letërisë artistike dhe letërsisë dokumentare.

-Jetojmë në epokën e virtualitetit, ku shpesh herë klikimet jo gjithmonë e masin vlerën e vërtetë, po ju, si e masni ju vlerën e veprës letrare apo edhe të mendimit publicistik.

-Ka një masivitet të madh të njerëzve që shkruajnë,  sepse janë shtuar edhe njerëzit me strese, dhe i publikojnë krijimet e tyre virtualisht në rrjetet sociale.   Vërej që ka tre kategori opinionesh për njerëzit që shkruajnë; një kategori përbëhet nga lajkatarë, një tjetër nga cmirëzinj e njerëz të rënë në dashuri me krijimet e veta, – të dyja janë ego vetgjymtuese e vetëvrasje intelektuale. Kategoria e tretë është ajo e njerëzve të ndershëm, të pakët në numur e që sa vjen e po pakësohen. Pëlqimet dhe klikimet në rrjetet sociale në letërsinë dixhitale dhe media kanë ndryshuar aspektet si në qasje, shpërndarje, analizat, konceptualiteti dhe sigurisht përcaktojnë literaturën. Mediat e reja kanë ndryshuar atë që do të thotë të lexojnë e shkruajnë, të konsumojnë dhe prodhojnë. Mua nuk më besdis aspak kjo puna e klikimeve, se sa ajo që mua më duhet të ekuilibroj gjendjen shpirtërore e pasionin në përshkrimin e realiteti plot jetë, mbresëlënës që mbart në vetvete magjinë e ndryshimit e të shpresës, të mëkoj ëndrrat, që unë dëshiroj të arrij në rrugën e krijimtarisë, të bëj të pranishëm në krejt botën shqiptare zërin krijues, qytetar e intelektual femëror, t’i bëj sfidë mentalitetit dhe atavizmit maskilist ndaj krijimtarisë femërore, dhe të përcjell mesazhin e bukurisë së shpirtit njerëzor.

-Cila është gjinia letrare ku ju ndjeheni më mirë dhe nëse është e mundur na sillni disa nga mbetet e arrirë në krijimtarinë tuaj.

Janë ndjenjat idealiste që më bëjnë të shkruaj për dhimbjen e dashurinë e të tjerëve, sigurisht edhe timen.

Kur je duke shkruar, një ide merr jetë, magnetizohet me idetë e tjera në drejtim të saj, dhe ajo që dëshiron të bësh më pas të shtyn të shkruash ngjarjen ashtu sikundër ka ndodhur, se si ajo ngjarje i ka prekur njerezit, mendon disa momente dhe më pas fanatazon. E rëndësishme dhe interesante është që të japësh maksimumin e ngjarjes që ta bësh lexuesin ta ndjejë, të befasohet, të përcjellësh mesazhin e dashurisë njerëzore, t’u ngresh moralin shpirtëror dhe më kryesorja është që idetë të marrin jetë për të treguar një ngjarje. Mënyra e të shkruarit është një element shumë interesant dhe i pashpjegueshëm. Shkoj për të fjetur, marr edhe diktofonin me vete. Jam në proces të të shkruarit të një libri, poezie apo publicistikë. Më vijnë lloj-lloj mendime e ide të ndryshme, zgjidhja e kapitujve të ndryshëm, strofave, opinion apo esse analizë letrare, i regjistroj në diktofon që të mos i harroj. Kur zgjohem në mëngjes teksa pij kafen në “tryezën e punës” pranë kompjuteri, papritur më lind tjetër ide krejtësisht e ndryshme, që do të thotë se frymëzimi, muza, idetë, ëndrrat janë diktuar në një pjesë të jetës. Ka ëndrra prej tyre që kanë kuptim, ka të pakuptimta, sigurisht të gjithë kemi të tilla, por ato kanë rëndësinë e tyre të vecantë në jetën tonë, pra në rastin tim ato marrin kuptim nëpërmjet letërsisë dhe publicistikës. Dhe nuk janë të pakta shkrimet e mija në këtë gjini, shkrime që kanë marrë vlerësime nga personalitete të njohur në letrat shqipe. Dhe arrita ia dola. Para dy viteve  botova librin me vështrime, kritika e studime letrare, të titulluar; “Në gjurmë të fjalës”, dhe romanin “S’i them askujt” të dy librat u botuan nga Shtëpia botuese “Adonis”.

Deri më tani jam autore e 14 librave në prozë, poezi e publicistikë dhe bashkëautore në dhjetë antologji kombëtare e ndërkombëtare me poezi shqipe dhe angleze, jam bashkëautore në antologji me prozë e publicistikë, që shkojnë në 20 libra. Të rritesh e të maturohesh, sigurisht që na merr kohë, punë e sakrifica, më tepër ngase ne e mendojmë dhe e perceptojmë. Ndërgjegjësimi se nuk jemi të përjetshëm, andaj duhet të përpiqemi që t’i kuptojmë eksperiencat dhe përvojat njerëzore.

-Një shkrimtar mbetet gjithmonë i angazhuar, pra pendën dhe talentin nuk ta ndal dot askush, a jeni ndjerë ndonjëherë e penguar, e paliri?

Është një lojë e rrezikshme t’i kërkosh shkrimtarit se çfarë ata mendojnë, kur shkruajnë në lidhje me një temë të përgjithshme, sepse vetë shkrimtari është lexuesi është më pak objektiv i punës së tij, por një nga gjërat që mua më intereson si shkrimtare –është sfera e ndikimit te cdo personazh apo lexues, që do të ndikojë në botën time dhe me ambientin që më rrethon. Vështrimi artistik dhe filozofik, është i rëndësishëm dhe ndikues në shfaqjen e asaj që është njerëzore dhe çfarë jo. Angazhimi dhe përgjegjësia e një shkrimtari është e njëjtë si çdo tjetër në kohë vendimtare: të glazurojë, të joshë dhe të përshkruajë realitetin në kohë e hapësirë. Megjithatë, ju këmbëngulni për diçka esenciale dhe mbase esencialja mund të jetë kjo: duke e filluar nga vetja ime, unë me mund e sakrifica kam fituar pavarësinë dhe forcën gjatë jetës, jam shumë e lirë, dhe liria ime është modeli i sinqeritetit – pra- Vetvetja. Këtë e reflektoj edhe në krijimtarinë time, ku liria ime është e pafrikshme, e çiltër e pa komplekse. Që do të thotë se frymëzimi, muza, idetë, ëndrrat janë diktuar në një pjesë të jetës dhe lirisë për të jetuar e shprehur.

Gjithkush mendon se shkrimtarët shkruajnë në libra pjesë nga jeta e tyre. Këngëtarët i këndojnë vetes së tyre. Rregjizorët bëjnë filma për jetën e tyre dhe pikturistët pikturojnë potretet e tyre sekrete. Vërtet jeta është baladë dashurie, gjithmonë besoni në dashuri. Dashuria e vërtetë nuk vdes, sado kohë të kalojë, zemrat kanë të njëjtën rrahje si në fillim të saj dhe sekreti i zemrës mund të ndryshojë gjithcka. Dashuria njerëzore triumfon në jetë. Por ngadalë me kalimin e kohës vë re se shumë nga gjërat që ke përjetuar, i mendon se janë të dobishme, për t’i shkruar, ashtu sikundër janë jetuar me dhimbjen e shpresën, me gëzimin dhe hidhërimin, me të bukurën e të shëmtuarën, me optimizmin dhe pesimizmin, me idealizmin dhe grotesken, – pra përvojat jetësore. Gjithashtu përpiqem ta bëj çdo libër më të mirë se ai më parë. Për mua më e vështira në artin e të shkruarit ka qënë pjesa kur dhimbjen dhe dashurinë time në shpirt, apo harenë e gëzimin ta kthej fenomen shoqëror apo historik.

-Sa rol luan kreativiteti në cilësitë e individit, çfarë tjetër sipas jush e bën të veçantë dhe kreativ individin si qenie e angazhuar?

Shkrimtari apo poeti i shërben një periudhe të caktuar historike, një populli e një kombi të caktuar. Edhe diçka tjetër që më ka rënë shpesh në sy dhe më ngjan se po bëhet “traditë”. Sigurisht që cdo shkrimtar jeton në një kohë të caktuar dhe i takon po një kohe e sistemi të caktuar dhe sigurisht krijimtaria e tij/e saj, do të jetë e angazhuar dhe është militant i problemeve të kohës në të cilën jeton, por shkrimtari kurrësesi nuk është zëdhënës i një grupimi politik, por në opozitë me shtetin, qeverinë, partitë politike -që interferojnë gjithçka, -që mbështet gjithcka të mirë në favor të popullit, i hap rrugën vlerave të së kaluarës në unifikim me vlerat e të tashmes e të ardhmes. Por unë sigurisht shpresoj që gjërat do vazhdojnë të ndryshojnë për mirë. Asnjë shoqëri nuk është statike. Krijimtaria letrare nuk duhet paragjykuar.  Duhet kuptuar në kohën e kushtet kur është shkruar, ajo ka një emër të shenjtë; arti i të shkruarit. Ndërsa shkrimtarët e vjetër shpalosën ide të mëdha që bota duhet të ndryshonte, për një kohë të re e me koncepte të reja, do t’iau kalojnë të rinjve stafetën, të marrin përsipër luftën për ndryshim që është një luftë e vazhdueshme. Dhe shpresoj se kjo do të vijë. Në dashuri, në art, në jetën social-ekonomike-politike njeriu është vetëm gjysma, ndërsa gjysma tjetër është figura, vepra, mendimet dhe filozofia e tij. Pra jemi ne që bëjmë art e jetë, në një trup e mendje të vetme përcjellim –mesazhin e dashurisë njerëzore.

*Intervista është shkëputur nga libri “Një jetë disa histori”, botim ky që është një përmbledhje me intervista, profile shqiptaro-amerikane, esse dhe refleksione letraro-gazetareske te autores dhe filologes, Marjana Zeneli Bulku. Libri “Një jetë disa histori”, u promovua dhe u prezantua dinjitetshëm në Producers Club në Manhattan, New York, 18 Maj 2024.