Prej disa javësh Valbona Selimllari ka nisur një punë të re pranë Bashkisë së Tiranës, si këshilltare e kryebashkiakut.
Valbona tregoi se fillimisht propozimi i erdhi nga një mikeshë e saj e më pas edhe nga Erion Veliaj. Dhe arsyeja pse pranoi ishte pasi mësoi se pjesë e kësaj pune të re do të ishin ҫçështjet sociale, njerëzit në nevojë, fëmijët dhe çdo problematikë që ka të bëjë me ta.
Asgjë e lidhur me politikën, asgjë e lidhur me imazhin e saj, puna e re, edhe pse është ende në hapat e parë, nuk ka të bëjë me Valbonën si personazh i njohur i ekranit, por me përkushtimin që ish Miss Albania do të ketë pranë kësaj bashkie.
E ftuar këtë pasdite në “Pasdite në Top Channel”, Valbona ndau me publikun ndjesitë e para që i ka dhënë ky angazhim i ri pranë bashkisë. E pyetur si është ndier në vizitat e para pranë njerëzve në nevojë, Valbona tregon me shumë emocion: “Kam mbetur e surprizuar nga ata fëmijë. Unë nuk e dija, por një pjesë e fëmijëve që kemi vizituar merreshin nga rruga dhe aty u shpjegoheshin pse nuk duhet të rrinë në rrugë.“
Valbona u ka vënë edhe kushte fëmijëve që trajtohen nga qendrat sociale: “Unë u kam dhënë edhe detyra atyre fëmijëve. Pasi mbaruan koncertet, u thashë se do të bëjmë një gjë. Nëse ju silleni mirë, në fund të këtij muaji, ne do këndojmë bashkë. Unë do bëj një këngë shumë të bukur për ju dhe pas kësaj, do të bëhet nami… Ishte një projekt joreal, por që mund të bëhet i tillë. Ishte diҫka që më lindi nga shpirti dhe do ta mbaj fjalën,” – thotë bukuroshja pa e fshehur emocionin.
“Unë Erionin e njoh shumë, shumë herët. Nëse propozimi për të qenë pjesë e bashkisë, nuk do të vinte edhe nga ai, unë nuk do të isha në këtë pozicion. Është një djalë me ambicie, është punëtor, nuk e imagjinoni dot se ҫfarë është ai. “Erioni e meriton dhe jo si kryebashkiak. Mua më vjen shumë mirë që pas kaq vitesh, edhe në bashki kam gjetur atë Erionin që njoh unë. Ne, personazhet e ekranit, duhet ta pranojmë një gjë: nuk na duan të gjithë. Ka edhe nga ata që më thonë “tani që ke filluar këtë”, mendojnë se po merrem me politikë. Unë nuk kam asnjë qasje politike. Jam njeri që vlerësoj atë që bëhet.”
Më tej Valbona u shpreh se nuk mendon që imazhi i bashkisë ka nevojë për imazhin e saj, por që do japë gjithë kontributin e mundshëm.