Gazetari Blendi Fevziu ka rrëfyer për herë të parë, në emisionin e tij “Opinion” se përse e ka braktisur profesionin e pedagogut që e kishte nisur 15 vite më parë.
Fevziu tha se e kishte lënë këtë profesion që ditën e parë, pasi nga 45 studentë që duhet të ishin në auditor ai kishte gjetur vetëm 6.
“Se s’dua ta përmend, se nuk e kam thënë kurrë. Para rreth 15 vitesh, më thirrën tek gazetaria për të dhënë një lëndë. E mora me qejf dhe thashë po jap një semestër. Shkova pasi nuk lashë gjë pa përmbysur një ditë para, megjithëse isha shumë i zënë, me shumë emocion se mbaj mend pedagogët. Kur shkova, nga 40 e sa studentë që kishte grupi gjeta vetëm 6 veta në klasë. Mora regjistrin, i thashë faleminderit atij që më thirri, unë s’vij më as në sezon e asgjë. Tani të humb unë të gjithë pasditen, të përgatitem për të dhënë një leksion dhe të gjej 6 veta në sallë? E lashë po të them që atë ditë. Që atë ditë, siç e mora regjistrin, shkova dhe e lashë. Kur studenti nuk do të vijë, kisha 40 e sa për të ardhur në klasë dhe vetëm 6 veta, që ishin ulur 2 këtu e 2 atje”, tha Fevziu.