Banorët e pallatit të djegur këtë të enjte në Tiranë, kanë rrëfyer për Euronews situatën e banesave të tyre.
Gjatë një prononcimi nga ambientet e pallatit, banorët shprehen tepër të prekur pasi dëmet financiare që u janë shkaktuar janë tepër të larta.
Një prej banorëve tha se ka djalin që banon në pallat dhe apartamenti është blerë me kredi. I demoralizuar ai tha se duhen dhe dy jetë të tjera që të blesh sërish të njëjtën shtëpi.
“Kam punën këtu afër, sapo pashë tymin erdha me shpejtësi se thash është patjetër pallati ku banon djali im. Sapo erdha këtu, akoma nuk kishin ardhur zjarrfikëset. Zjarri dha shenja në katin e dytë dhe dogji me shpejtësi pjesën sipër. Nuk ka moment më prekës, shtëpia me kredi, me këto të ardhura duhen dy jetë punë që të blej sërish njëjtën shtëpi”, tha banori.
Ndërkohë një banor tjetër tha se flakët e zjarrit i kishin djegur një dhomë dhe 70% orendive janë të papërdorshme më. Ai theksoi se fillimisht flakët e zjarrit u panë në katin e dytë dhe për shkak të veshjes së pallatit u përhapën me shpejtësi deri në katin e fundit.
“70% është dëmtuar, jetonim tre veta që jetojmë në atë banesë. Mesa kam parë flaka doli nga kati i dytë e pastaj shpërtheu dogji pjesën lart. Më është djegur dhoma me të gjitha orenditë. 70% janë të pa rikuperueshme. Deri tani nuk na kanë thënë se ku të qëndrojmë, të shohim se çfarë do të na premtojnë. Në katin e fundit që u dogj plotësisht banonte një doktor por nuk ia mbaj mend emrin”, tha ai.
Në dëshminë e dhënë jashtë kamerave për gazetaren Ortenca Budlla, banorët kanë pranuar se kanë paguar 1700 euro për metër katror, për blerjen e një banese në këtë godinë.
Gazetarja shtoi se sipas dëshmive të banorëve shumica e tyre i kishin blerë apartamentet me kredi dhe zjarri u kishte shkaktuar dëme financiare mjaft të mëdha.
“Ndërtesa nuk ka më shumë se dy vite që është ndërtuar, aty mungonin shkallët e emergjencës. Nga bisedimet që kam pasur me banorët më është bërë e ditur se kanë paguar më shumë se 1700 euro, metri katrorë për hyrjet në këtë pallat dhe shumica prej tyre janë me kredi. E thënë nga ana e tyre, “Shtëpia na u dogj, po kush do na e paguaj kredinë”, tha Budlla./ Euronews Albania