“Tani po flemë!”…Dhe nuk u zgjuan më kurrë. Ky ishte mesazhi i fundit i dy vëllezërve nga Kosova, të cilët tërmeti i 26 nëntorit i zuri në gjumë dhe më pas u nxorën të pajetë nga rrënojat e hotel “Tropikal”, ku qëndronin për të punuar.
Babai i Shemsedinit dhe Isait, Sabri Abazi ka rrëfyer për mediat shqetësimin më të madh të dy djemve të tij.
Të dy ata i druheshin frikës që të mos vdisnin të dy bashkë në një aksident dhe për këtë arsye nuk udhëtonin asnjëherë bashkë. Por fatkeqësisht tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, i mori të dy bashkë.
Ata u nxorën nga rrënojat e hotelit, ku familja Abazi nga Gjilani kishin 15 vite që kalonin aty pushimet e verës.
Isai kishte mbetur i papunë dhe për të mos e lënë vetëm, vëllezërit guxuan të bëjnë të parin udhëtim të gjatë, të dy në të njëjtën makinë.
Babai tregon për “Express” se familja i kishte drejtuar sytë nga dy djemtë të cilët punonin mekanikë, dhe ishte pikërisht kjo arsyeja pse ata kishin marrë rrugën në Durrës, për punë.