Nuk është një periudhë e lehtë për Paulo Dybala, i cili u kthye të shënojë gol në Ligën e Kampionëve, por ndodhet ende larg formës së kohërave më të mira. Kundër Lazio ai mori vendin e Ronaldos në fund, duke gabuar në rastin prej nga lindi goli i barazimit të bardhekaltërve. Sulmuesi argjentinas është treguar i shpenguar në intervistën e dhënë për “Vanity Fair”, në të cilën zbuloi disa gjëra rreth tij, shumë prej të cilave ishin gjithashtu mjaft personale.
Gjyshi
“Problemi është se mjekra ime (qimet e fytyrës) thjesht nuk rritet. Sytë e mi janë të gjelbërt, edhe pse e dashura ime thotë se janë blu. Unë i kam marrë këto sy (ngjyrën) nga gjyshi im (nga babai). Ai vdiq kur unë isha 4 vjeç, por në familje flitet shumë mbi të. Sapo arriti në Amerikën e Jugut (nga Polonia), ai fjeti dy javë në një fushë gruri. Gati sa nuk vdiq atje, para se të shpëtohej nga disa fermerë”.
Pasioni për fanellat e futbollit
Pasioni i tij për ankandet shpesh e ka shtyrë të shpenzojë shumë para për fanellat e futbollit, që arkivon: “Unë mbledh vetëm fanella të futbollit, kam qindra të tilla. Ato që shkëmbejmë në fund të ndeshjeve, plus ato që i porosis të shokët e mi të skuadrës, kur luajnë jashtë. Për të mos përmendur uniformat që blej në internet. Një fanellë e Del Piero në ankand më shpëtoi për fare pak. Po kështu një fanellë e Maradonës, e veshi në një ndeshje kundër Brazilit, të cilën dikush tjetër pranoi ta blinte më shtrenjtë se unë”.
Martesa
Ka ende kohë për të menduar për martesën me të dashurën e tij Oriana Sabatini, një modele dhe aktore argjentinase: “Oriana bën që të hapem, se jam tip i mbyllur. Ajo m’i tregon gjërat në një mënyrë tjetër, çdo ditë. Ne komunikojmë shumë dhe bëjmë shumë gjëra së bashku, edhe nëse secili ka hapësirën e vet. Përveç divanit në mbrëmje, kur shohim një film, ajo gjithmonë do të donte të përqafohej, ndërsa unë pak më pak. A do të martohem me të? Më vonë”.
Koronavirusi
Më në fund, një rrëfim për koronavirusin, sëmundje që Dybala ka pasur mundësinë ta përjetojë në lëkurën e tij: “Nëse kam frikë nga koronavirusi, kur takoj tifozët? Unë tashmë e kam pasur atë. Pra, ata duhet të shqetësohen kur më takojnë”.