Kulturë RRËFIMI I MULLIXHIUT

RRËFIMI I MULLIXHIUT

Për inat të sime vjehrre…

RRËFIMI I MULLIXHIUT

-Tregim-

Nuk dihet se cila qe ajo nuse që e tha e para atë shprehje, e cili qe ai mullixhiu fatlum që u detyrua të shuante inatin e nuses që ishte grindur me vjehrrën. Se zanati i mullixhiut është i lashtë, ashtu siç është e lashtë edhe ajo marrëdhënie nuse-vjehërr, ku për shkaqet më të vogla shpesh kalohet në zënka që nuk paqësohen lehtë. E edhe nëse paqësohen për momentin, grindja tjetër e radhës është pas dere, aty ku zakonisht lihej fshesa. Madje shpesh herë pikërisht ajo fshesa ishte sebepi, e cila në grindje e sipër kthehej edhe në armë të asaj që i qëllonte më afër në momentin e grindjes.

Një mullixhi i vjetër tregonte se llafin e kishte përhapur vetë nusja. Pikërisht duke biseduar me një nuse tjetër, edhe ajo në inat e sipër me vjehrrën e vet. E kush është më i mprehtë se veshi i një nuseje dhe ku ndizet më shpejt flakë inati si flaka tek mullarët e kashtës kur fryn erë?

Tek e pa shoqen e vet ashtu në kulmin e zemërimit, nusja e parë e ftoi të uleshin bashkë nën një ftua, ku kokrrat kishin marrë ngjyrë të verdhë e përhapnin një aromë, që ftonte për biseda të fshehta mes nusesh. Për ta qetësuar, nusja e parë kishte këputur nja dy ftonj dhe ia kishte vënë në prehër nuses më të re.

-Më është mërzitur shpirti,-kishte nisur të fliste më e reja.-Për hiç gjë ajo vjehrra ime grindet e ma nxin jetën. Më trajton më keq se ato leckat që janë për të larë dyshemenë.

-Aman, se e kam hequr edhe vetë atë hall,-iu përgjigj tjetra.-Muaj e muaj m’u nxi jeta. I fola edhe burrit për këtë, por ai mbajti anën e së ëmës dhe e di si më tha: “Ti ke lënë nënën tënde për të ardhur tek nëna ime. Duhet ta respektosh e jo të grindesh”. Dhe nusja vazhdoi të tregojë se si një ditë, kur zemërimi kishte arritur kulmin dhe vjehrra i ngjante një shtrige që ishte gati ta hante, ajo kishte ikur nga shtëpia dhe kishte marrë nga sytë – këmbët. Dhe ec e ec, duke zbritur luginës së përroi, këmbët e kishin shpënë tek mulliri. E kishte marrë etja nusen e shkretë e i tha vetes të ndalej një çast e të kërkonte pak ujë për të pirë.

Mullixhiu kishte qëlluar një azgan djalë, me sy që i nxinin edhe më shumë poshtë miellit që ia zbardhte vetullat e qerpikët, me një trup e krahë të fuqishëm, që i lëviznin thasët e miellit si të ishin torba të vogla. Ai e priti me dashamirësi nusen e re, e cila shihej që ishte jo vetëm e lodhur, por edhe e tronditur. I dha të pinte ujë me një gotë të drunjtë dhe e ftoi të ulej sa të merrte veten. Nusja e re u ul e vështronte herë mullixhiun e herë trokashkat që bënin një muzikë monotone mbi gurin e mullirit që vërtitej pa pushim e bluante misër. Zhurma e ujit që vinte me vrull nëpërmjet lugut e vinte në lëvizje gurin e rëndë, sikur e zbuste pak atë zhurmën e trokashkave që asaj i solli në mendje grindjet e vazhdueshme të vjehrrës.

Pas pak mullixhiu i solli edhe një copë kulaç misri të ngrohtë, që e kishte pjekur vetë aty në vatrën e mullirit e pak dhallë. Nuses iu skuqën faqet nga kjo mirësjellje, por nuk i rezistoi dot avullit të ngrohtë të kulaçit. Hëngri me shije në heshtje ndërsa sytë i mbante tek mielli i bardhë që dilte flokë-flokë si dëbora  dhe mbushte koritën e drujtë. Prej aty, mullixhiu e merrte me një okatare prej druri dhe mbushte thasët, duke i hedhur ndonjë vështrim si vjedhurazi nuses së re. Nuk e fshihte dot. Ishte e bukur ajo vashëz që i kishte trokitur në mulli, pa thasë apo torba me misër, siç vinin të tjerët, por me një zemërim të bukur që i rrinte në fytyrë siç i rri vesa lules mbi petale.

Pas pak vajti e iu ul pranë, e pa gjatë e thellë në sy dhe i tha ngadalë:

-Çfarë e mundon këtë lule kaq të bukur, që ende nuk më kanë zënë sytë të dytë në këto anë?

Nusja, në fillim u hutua nga këto fjalë, të cilat e prekën, e pastaj ia dha vajit me dënesë.

Mullixhiu në fillim nuk dinte çfarë të bënte. Pastaj e shkundi ngadalë miellin nga duart, nga fytyra e nga rrobat dhe u ul pranë saj. E tërhoqi pranë vetes dhe filloi t’i përkëdhelte në fillim shpatullat, pastaj edhe flokët. Nusja u ndje mirë. I mbante sytë të mbyllur e gjithë lodhja e zemërimi po i treteshin si me magji. I dukej sikur ai uji i freskët që vinte nga jazi, nuk përfundonte tek lugu i drunjtë por derdhej supeve e flokëve të saj e i freskonte gjithë trupin. Nuk kishte provuar ndonjëherë ndjesi të tilla.

Se ç’ndodhi më vonë janë dëshmitarë guri i mullirit dhe trokashkat që për disa kohë vërtiteshin bosh,pasi misri kishte mbaruar së bluari.

Këtë i tregoi nusja shoqes së vet më të re, duke e mbyllur me një shprehje që e tha mes të qeshurash: – Ja pra, kështu e kam gjetur qetësinë. Për inat të sime vjehrre shkoi e fle me mullixhinë.

Ky rrëfim e ndezi fantazinë e nuses së re. Por meqenëse me mullixhiun e fshatit e shuante zemërimin shoqja e saj, ajo, nën pretekstin se ky kishte shumë punë, nisi t’i çonte barrët e misrit për të bluar tek mullixhiu i fshatit fqinj, që kishte qëlluar jo më pak azgan se ai i pari. Të paktën nga sa buronte prej bisedash që filluan të fliteshin midis nusesh. Se secila nuse kishte një vjehrrë. E kush me shumë e kush më pak kishin inatet e tyre.

Mullixhiu i vjetër që rrëfente zanafillën e kësaj pune, e shtjellon historinë më tej. Ai tregon se një vjehrrë, nga ato të tapinosurat, që kishte qenë e qejfit në nusëri, por nuk i linte gjë mangut edhe tani që ishte bërë vjehrrë, kishte filluar të dyshonte kur nusja se ku zhdukej sa herë që midis tyre plaste shamata. I bënte përshtypje fakti që nusja kur ikte e kishte fytyrën të skuqur, po me një përskuqje si ajo e domateve që janë gati për t’u bërë salcë. Kurse kur vinte kishte një të kuq të freskët e të bukur si ai i mollës në degë që është gati për të këputur. Aq i freskët sa dukej sikur do ta dehte edhe aroma e mollës.

“Ah, të më bëhesh kurban ti,-tha me vete.-Kujt mendon se po ia hedh? Kur dashuroja unë,ti nuk kishe lindur akoma”…Dhe një ditë, pasi kishin bërë shamatë dhe nusja iku e zemëruar, ajo e ndoqi nga pas. Ec e ec e këmbët e quan tek mulliri i fshatit. Ishte në të rënë buzëmbrëmja e hijet e lisave zgjateshin mbi vijën e ujit e mbulonin edhe mullirin. Ajo përfitoi nga kjo dhe u afrua pa rënë në sy deri tek zdatku me dërrasa prej druri që vishte ndërtesën e mullirit. Nëpërmjet plasave të dërrasave ajo mundi të ndiqte gjithë skenën e shuarjes së zemërimit të nuses. Një hënë e bukur hodhi rrezet përmes pemëve e ajo u largua me të shpejtë nën dritën e argjendtë, për të mos u marrë vesh prania e saj.

Vjehrra nuk e bisedoi me njeri këtë thagmë. As nuses nuk i ra në sy. Madje,si për çudi midis tyre nuk po kishte më raste sherri, aq sa nusja herë-herë e kërkonte vetë ndonjë sherr, se e thirrte dëshira të bënte një kërcim deri në mulli. Po vjehrra, në vend që të grindej, një ditë e mori vetë rrugën për tek mulliri…

Mullixhiu i vjetër tregon se,sipas gojëdhënave, vjehrra gjeti atë ditë në mulli jo mullisin djalosh, por babanë e tij. Por edhe ai na paskësh qenë një kokoroç, faqe e mustakkuq, që punonte e herë-herë hiqte ca gllënjka nga një shishe me verë që e mbante aty afër. Nuk thonë kot që mullisi kur ka ujë pi verë, kurse kur nuk ka ujë pi ujë. E ai nuk kishte vetëm ujë, por edhe punë sa të duash. Ndaj vera nuk i mungonte kurrë. Gojët e liga tregojnë se nuse e vjehrrë, nga armike,u bënë ortake. Njëra me mullisin baba e tjetra me mullisin bir, kur u vinte zemërimi me njëra-tjetrën nuk grindeshin, por njëra mbi rrugë e tjetra nën rrugë, e mbanin vrapin në mulli.

Kështu soji i mullixhinve pati epokën e vet të lavdisë. Kjo epokë gati u trondit pak kur dolën mullinjtë me erë që u shpikën diku andej nga Vendet e Ulëta apo nga Gadishulli Iberik. Por shpejt u kuptua se ata ishin për tjetër gjë e nuk mund të konkuronin kurrë me mullinjtë me rrotë prej guri, që e nxirrnin pahun e bardhë të miellit me bardhësinë e fustaneve të nuseve. Madje andej nga Spanja se ku doli edhe një hidalgo i fantaksur, me emrin Don Kishoti, që u shpalli luftë mullinjve të erës. Edhe ai ishte i dashuruar me Dylqinjën e tij. Me sa duket të gjithë mullinjtë e vërtisin rrotën edhe në drejtim të dashurisë.

Tronditja e vërtetë, rrëfen mullixhiu i vjetër, erdhi kur një taljan merakli shpiku “Mulino bianco” (medemek mulliri i bardhë). Ai qafir taljani na paskësh patur mendje të djallëzuar,se përveç miellrave lloje-lloje prej gruri, prej orizi e prej misri, bënte edhe lloj – lloj biskotash që të merrnin më qafë me aromën e me ëmbëlsinë e tyre. Pa vërshonin tek ai nuse, nëna të reja e vasha llërëbardha si simite, pa dashur t’ia dinin për zemërimin e vjehrrave, që bënin shamatë për shpërdorimin e parave. E ky qafir italiani pushtoi botën me prodhimet e mullirit të tij, aq sa për mullinjtë tanë nuk u kujtuan më jo vetëm nuset e vjehrrat, por edhe ata që prodhonin ndonjë dorë grurë apo misër.

Kur erdhi demokracia, menduam se çoç do të ndryshonte. Thamë se do të lulëzonin një çikë mullinjtë, meqenëse të gjitha industritë e tjera u shkatërruan, pasi demek paskëshin patur vulën e shejtanit. Aq më tepër kur tërë djemuria i braktisën fshatrat e qytetet, i lanë djerrë tokat e tyre për të shkuar të punonin tokat e grekut a të taljanit apo ku di unë e mbetën me shumicë nuse e vasha të vetmuara. Por këto nuset, edhe kur bënin shamatë me vjerrat, nuk u binte ndërmend për mullixhiun e varfër, por merrnin ndonjë vizë e iknin sa më larg që të ishte e mundur, atje ku kishin burrat e tyre në mërgim. Pritëm që të fillonte prodhimi i grurit e misrit në vend. Po se nga u hapën ato depot e Çernobylit e vërshuan thasët e miellit me çmim të lirë, që nuk i lanë derman prodhimit të vendit. Madje u bënë aq të famshëm sa hynë edhe në fjalorin elektoral, duke u shitur me një votë thesi.

Le pastaj nëpër qytete. Jo se nuk ekzistojnë më grindjet nuse – vjehrrë. Por fundi i sherrit nuk e ka vendin tek mulliri. Nuset e sodit e kanë inatin më të keq e në vend të mullirit i futin një crocierë deteve të botës, pa vjehrra le të pëlcasë nga inati.

Këto rrëfeu mullixhiu i vjetër që ua qante hallin mullixhinjve të sotëm. Dhe e përfundoi duke thënë: Gjynah që nuk i dihet emri asaj nuses së parë. Pa ne soji i mullixhinve do i kishim ngritur një lapidar, madje jo, më mirë një mulli me emrin e saj.

Ndue Lazri