Nga Anila Hoxha
Ai është një nga policët më të ndershëm që njoh. Për këtë arsye ky person ka fituar diçka të rëndësishme prej meje, unë e besoj. Në një nga ditët më rrëfeu:
“Ditët e para në polici ishin një burokraci, – kujton mbi karrierën e tij në Policinë e Shtetit. – Më linin në pritje me popullin dhe mbaja shënim denoncimet e tyre për gjëra nga më banalet, zhurmat me komshinjtë, sherret e vogla e çdo gjë që qytetarët shpresojnë se është një çështje që e zgjidh policia.
Në një nga këto ditë, kallëzuese ishte një grua e moshuar. Foli për gati një orë. Shkruaja në kompjuter dhe për ta kuptuar qartë e pyesja sa herë ajo e humbiste fillin e ngjarjes mbi atë çka ankohej. E kishin vjedhur në autobus dhe po fliste me përpikmëri mbi stacionin ku qëndroi, udhëtimin nëpër qytet, sediljen ku ishte ulur dhe si e kishte mbajtur çantën për tu ruajtur. Më foli më lekët e pensionit dhe telefonin që ja kishte bërë dhuratë e bija, por që hajduti ja zhvati pa rënë në sy.
Në një qytet si Tirana, një vjedhje në rrugë është një ngjarje e vogël për të cilat shkresurinat bëhen pirgje nëpër komisariate.
Edhe ai denoncim, ishte një rutinë si për të tjerët dhe unë mezi prisja të dilja në terren. Kështu që në atë rast përballë asaj gruaje në moshë të thyer, isha veçse një sekretar ku njëri flet e tjetri shkruan. Kur mbarova, ajo duhet ta firmoste, ja zgjata denoncimin që ta lexonte.
Pasuan disa minuta heshtje derisa gruaja më kërkoi një stilolaps. Por për habinë time nuk firmosi, filloi të rrethonte fjalë, të vendoste pikëpyetje, të shkruante pika e presje nëpër rreshta.
Pastaj ndryshe nga qetësia që pati deri në atë çast, u ngrit e revoltuar duke mu drejtuar me një vërejtje. “Fjalitë janë shumë të gjata, ti ke bërë një masakër me “pikën”, ja ku duhet ta vendosje pikën. “Ë” e ke vrarë, presja nuk ekziston. Filloi të më japë leksion dhe ato ishin momentet më të vështira të miat. Ajo kishte folur me qetësi për gati një orë për vjedhjen dhe ja ku ishte përballë meje e shqetësuar për gjuhën shqipe. Ajo e harroi hallin që kishte, as që nuk më korrigjoi mbi ndonjërën nga detajet e ngjarjes. Pashë se në atë çast asaj gruaje as që i bëhej më vonë për çfarë i kishte ndodhur.
Por ishte e alarmuar për fjalitë.
Unë kisha përballë një grua që e kishte dashur punën e saj dhe vazhdonte ta donte ende ndonëse në pension. Ajo kishte qenë një mësuese e gjuhës shqipe dhe unë u ndjeva më keq se një hajdut. Kisha zhdukur pikën nëpër fraza. Kisha shkruar si mos më keq duke bërë rrëmujë me shenjat e pikësimit. Ky ishte momenti që unë mora një mësim mbi misionin që kemi në jetë dhe ma dha ajo zonjë.
“Ne duhet ta duam çdo gjë që bëjmë.”