Shtimi i numrit të shqiptarëve që kërkojnë azil në shtetet e BE-së ka detyruar Ministrinë e Brendshme që të nxjerrë dy urdhra të posaçëm për të shtuar kontrollin në pikat e kalimit kufitar. Këto super rregulla janë firmosur nga ministri Sandër Lleshaj.
Urdhrat e lëshuara më 20 dhjetor, por të botuara së fundmi në Fletoren Zyrtare të datës 8 janar, parashikon mënyra specifike “Për përcaktimin e rregullave të veçanta të kalimit të shtetasve shqiptarë të mitur në kufi” dhe “Për forcimin e kontrollit të shtetasve shqiptarë që kalojnë kufirin shtetëror”.
Këto urdhra synojnë forcimin e kontrollit nga policia ndaj shtetasve shqiptarë në dalje të kufirit shtetëror, duke kthyer mbrapsht ata që nuk plotësojnë kushtet e udhëtimit për hyrjen dhe qëndrimin në vendet e Bashkimit Evropian dhe zonës Schengen.
Polici i pikës kufitare ka si detyrim të kryejë verifikime dhe intervistime të detajuara, për: a) adresën e saktë të akomodimit në vendin e destinacionit ku do të shkojë; b) ftesën e pritësit në vendin e destinacionit (që përmban të dhënat, kontaktet e pritësit); c) biletën apo rezervimin për kthimin; d) mjetet financiare për mbulimin e shpenzimeve për kohën e qëndrimit.
Rregullat janë të njëjta me ato që kërkohen nga vendet e BE-së që janë pjesë e zonës Shengen (Schengen). Në pikën katër të këtij urdhri përcaktohet se të gjithë shtetasit shqiptarë të kategorisë “Inad”, gjatë dy viteve të fundit, nga data e paraqitjes në Pikat e Kalimit Kufitar, për shkak të masës së ndalimit të hyrjes në zonën “Schengen”, me arsyetimin “Për informacione në SIS”, “Refuzim azili”, dhe “Rrezik për sigurinë publike” dhe të gjithë shtetasit shqiptarë të kategorisë “Deportiv” gjatë tre viteve të fundit, nga data e paraqitjes në Pikat e Kalimit Kufitar, për shkak të çdo lloj arsye dhe janë të regjistruar në sistemin TIMS si të tillë, të mos lejohen të kalojnë kufirin shtetëror deri në paraqitjen e një dokumenti shkresor, të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të noterizuar, që provon se nuk kanë ndalim hyrje, urdhër largimi ose dëbimi në vendet e Bashkimit Evropian dhe zonën Schengen.
Kur shtetasit paraqesin një vendim gjyqësor apo administrative kur vërtetojnë se nuk kanë pengesë për të udhëtuar, atëherë punonjës i kalimit kufitar duhet të bëjë shënimet përkatëse në sistemin TIMS te rubrika “Shënime”. Një kopje origjinale ose fotokopje e njësuar me origjinalin e dokumentit justifikues, të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të noterizuar, administrohet në Pikën e Kalimit Kufitar për një periudhë 2-vjeçare.
Ndërsa përcaktohet se nuk do të lejohen në rastet kur argumentohet se: nuk ka dokumentacionin e duhur që justifikon qëllimin e udhëtimit dhe kushtet e qëndrimit; ka qëndruar më shumë se 90 ditë në 180 ditët e fundit, në territorin e zonës Schengen; nuk ka mjete të mjaftueshme jetese (financiare) për periudhën, kohën dhe mënyrën e qëndrimit, ose mjete finaciare për kthimin në Shqipëri; d) është person për të cilin rezulton njoftim/informacion në sistem.
“Të forcohet kontrolli në kufi, ndaj operatorëve turistikë (linja autobusësh, zyra turistike etj.), grupe familjarësh, me qëllim parandalimin e rasteve të abuzimit me të drejtën e lëvizjes së lirë dhe goditjen e organizatorëve të këtyre udhëtimeve me destinacion vendet e Bashkimit Evropian. Të bashkëpunohet me drejtoritë vendore të policisë dhe komisariatet për shkëmbimin e informacionit, nëse ka persona që kanë tendencën e organizimit dhe lëvizjes së shtetasve shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe zonës Schengen, me qëllim për të kërkuar azil në këto vende”, thuhet në urdhrin e firmosur nga Lleshaj.
Në urdhrin tjetër përcaktohet se në rastet kur i mituri udhëton në shoqërinë e njërit prej prindërve, prindi që e shoqëron duhet të jetë i pajisur me deklaratë noteriale të prindit tjetër, ku autorizohet udhëtimi i të miturit në shoqërinë e prindit, ose me vendim gjyqësor që e lejon të udhëtojë të miturin me njërin nga prindërit.
Në të gjitha rastet lëshohet deklarata noteriale edhe kur fëmija udhëton në grup. Të gjitha dokumentet që administrohen në Pikat e Kalimit të Kufitar në zbatim të këtij udhëzimi, ruhen për një afat njëvjeçar dhe në përfundim të këtij afati asgjësohen nga një komision i ngritur me urdhër të drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin. Për procedurën e asgjësimit mbahet një procesverbal, ku shënohet lloji i dokumentit, numri dhe data e tij.
Ky udhëzim i posaçëm lëshohet nga ana e ministrisë për shkak se ka pasur shumë largime drejt vendeve të BE-së të fëmijëve shqiptarë të mitur që kërkojnë azil, apo janë përdorur nga trafikantët.