Aktualitet Rregullat e reja për të udhëtuar drejt Holandës, Letonisë dhe Sllovenisë

Rregullat e reja për të udhëtuar drejt Holandës, Letonisë dhe Sllovenisë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka publikuar rregullat e reja të vendosura nga Holanda, Letonia dhe Sllovenia për udhëtimet drejt këtyre vendeve.

MEPJ njofton se duke nisur nga data 25 shkurt 2022, të gjithë personat që udhëtojnë drejt Holandës pas qëndrimit në vende jashtë BE, përfshirë Shqipërinë, nuk janë të detyruar të vetëkarantinohen pas mbërritjes.

Dokumentacioni i nevojshëm për udhëtimin përfshin: Certifikatën e vaksinimit si dhe testin negativ ndaj COVID-19 (PCR ose antigjen). Testi negativ PCR duhet të jetë jo më i vjetër se 48 orë para udhëtimit, ndërsa testi negativ i antigjenit jo më i vjetër se 24 orë përpara nisjes.

Ndërkohë, Sllovenia sipas njoftimit të MEPJ, i ka hequr të gjitha masat kufizuese të udhëtimit.

“Qytetarët që udhëtojnë drejt Sllovenisë, ose përmes territorit të Sllovenisë në një vend tjetër, nuk kërkohet që në pikat e kalimit kufitar të tregojnë përmbushjen e kushtit RTV (kaluar sëmundjen/testuar/vaksinuar). Qytetarët që udhëtojnë për në Slloveni, nuk do të jetë e nevojshme që t’i nënshtrohen karantinimit, përveç rastit kur kanë simptoma të infektimit”, thuhet në njoftimin e MEPJ.

Duke filluar nga data 1 mars 2022, për udhëtimet jo thelbësore drejt Letonisë do të kërkohet vetëm një certifikatë digjitale e BE-së për COVID-19 ose një rezultat negativ i testit, njofton MEPJ.