Kryesore Rregullat për lëvizjen drejt Italisë, Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës

Rregullat për lëvizjen drejt Italisë, Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës

Policia e Shtetit në kuadër të vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për hapjen e kufijve njofton rregullat e reja që duhet të ndjekin qytetarët. Në një njoftim për mediat, Departamenti për Kufirin dhe Migracionin shprehet se ka marrë masat në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor, për vijimin  normalisht dhe pa probleme të aktivitetit kufitar.

Për Republikën e Italisë, Greqisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndryshim të regjimit kufitar nga ana e tyre  lejohet hyrja për në Shqipëri, por nuk lejohet hyrja për të gjithë udhëtarët në drejtim të këtyre vendeve. Ndërkohë në në Republikën e Malit të Zi lejohen të hyjnë pa asnjë pengesë dhe kufizim vetëm qytetarët nga shtetet në listën e miratuar nga ana e tyre , listë në të cilën bën pjesë edhe Republika e Shqipërisë.

NJOFTIMI I PLOTË

Në zbatim të urdhrit nr. 351, datë 29.05.2020, të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, Policia Kufitare ka marrë masat në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor, për vijimin  normalisht dhe pa probleme të aktivitetit kufitar.  Në këtë kuadër i gjithë personeli i Policisë Kufitare në pikat e kalimit kufitar është pajisur me maska dhe dezinfektantë për mbrojtjen nga COVID-19. Në lidhje me shtetet fqinje situata e kalimit kufitar është si më poshtë:

Për Republikën e Italisë, Greqisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk ka ndryshim të regjimit kufitar nga ana e tyre. Lejohet hyrja për në Shqipëri, por nuk lejohet hyrja për të gjithë udhëtarët në drejtim të këtyre vendeve, përveç atyre që janë rezident apo që kanë ndjekur procedurat me Ministrinë e Jashtme, si përgjatë periudhës së pandemisë. Në Republikën e Malit të Zi lejohen të hyjnë pa asnjë pengesë dhe kufizim vetëm qytetarët nga shtetet në listën e miratuar nga ana e tyre (shtete të cilat kanë shkallën e rasteve aktive të koronavirusit më pak se 25 për 100 000 banorë), listë në të cilën bën pjesë edhe Republika e Shqipërisë.

Për Republikën e Kosovës lejohen të hyjnë të gjithë shtetasit, por në qoftë se nuk posedojnë konfirmim zyrtar brenda një afati kohor prej 4 ditësh që janë “negativ” me COVID-19, atëherë duhet të plotësojnë formularin përkatës për vetëkarantinim për një periudhë 7-ditore, ndërsa kamionët duhet t’i nënshtrohen procesit të dezinfektimit para se të hyjnë në territorin kosovar. Policia Kufitare ka marrë një sërë masash shtesë edhe në drejtim të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare, qoftë në pikat e kalimit, ashtu edhe në kufirin e gjelbër dhe atë blu.