Prej 1 janarit të vitit 2025 drejtuesit e automjeteve do të paguajnë tarifa të reja dhe jo të njëjta për të gjithë bazuar në një listë faktorësh që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar dëme apo aksidente.
Projekt rregullorja e re do të caktojë çmime të ndryshme sigurimi për automjetet duke u bazuar në disa faktorë.
Faktorët janë mosha e mjetit, fuqia motorike, qarku ku është regjistruar makina, lloji i makinës nëse është elektrike apo me lëndë djegëse, mosha e zotëruesit të mjetit dhe përvoja në timon dhe historiku i aksidenteve të tij.
Ligji i miratuar që në vitin 2021 u mundësonte kompanive të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve që të aplikonin tarifa të ndryshme për drejtuesit e mjeteve me historik të rënduar aksidentesh. Por, kompanitë e sigurimeve deklaruan në atë kohë se nisma ishte e parakohshme për tregun shqiptar.
Tregu i sigurimit të mjeteve të transportit zë pjesën e luanit në tregun e përgjithshëm të sigurimeve. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se nga janari deri në korrik të këtij viti sigurimet e makinave zënë 66 për qind të totalit të tregut.
Po në këtë raport, AMF thotë se në shtatë muajt e parë të këtij viti kompanitë e sigurimeve paguan 3.4 miliardë lekë si dëmshpërblim ndaj aksidenteve, shifër kjo me rritje gati 21 për qind më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.