Kjo është 82-vjeçarja Nazmie Buci, e moshuara nga Shkodra e cila u dhunua fizikisht nga nusja e saj, 43-vjeçarja Elmira Buci.
Nusja, sipas dëshmisë së të moshuarës, e ka goditur vjehrrën me bastunin me të cilin lëviz 82-vjeçarja. Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar shtetasen Elmira Buci pas denoncimit të këtij rasti.
“Komisariati i Policisë Shkodër ndaloi shtetasen E. B., 43 vjeçe, banuese në Shkodër, pasi ka kallëzuar vjehrra e saj 82-vjeçe, se 43-vjeçarja ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. 82-vjeçarja po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër”, njoftoi policia.
Djali i 82-vjeçares, pasi erdhi nga puna as nuk e dërgoi në spital nënën e tij dhe as nuk lajmëroi policinë për të denoncuar rastin, por kritikoi të ëmën duke i thënë se “pse ke bërë fjalë me nusen time”.
Ngjarja ndodhi para dy ditësh më 10 shtator, ndërsa të nesërmen pasi e moshuara ka dalë jashtë, janë komshinjtë që pasi e kanë parë se në çfarë gjendje është kanë telefonuar policinë dhe ambulancën. Nazmie Buci nuk mundi të lajmërojë askënd sepse nusja e saj i kishte thyer celularin.
Shtetasja Nazmie Buci mori mjekim në spital dy ditë pasi u dhunua dhe tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Elmira Buci u arrestua nga Policia e Shkodrës. Efektivët vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti të dhunës në familje.