Britania e Madhe është rreshtuar krah Shteteve të Bashkuara dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të 3 policëve nga Kosova që u kapën nga forcat speciale serbe.
Mes të tjerash, qeveria e Britanisë iu kërkon palëve të ulin sa më shpejt tensionet dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura, mes të cilave dhe asociacionin.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor.
Po ashtu, ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”, shkruhet në reagim.
Qeveria britanike po ashtu i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që krerët e 4 komunave në veri t’i ushtrojnë detyrat në ndërtesa alternative, si dhe të organizojë sa më shpejt të jetë e mundur zgjedhje në këtë zonë.
“Zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje. Presim që Kosova dhe Serbia të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, përfundon reagimi i qeverisë britanike.