Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me situatën në veri të Kosovës, ku tre zyrtarë të policisë u kapën nga ushtria serbe. Rama thotë se siç duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.
Sipas tij, pavarësisht pretendimeve të ndryshme, duhet që ata të kthehen sa më parë në shtëpi. Dhe për këtë shprehet se që prej dje qeveria shqiptare është fokusuar tek lirimi i tyre.
“1- Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.
2- Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!
3- Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre!
4- Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri!
5- De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë”, shkruan Rama në Twitter.