Pas rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është takuar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it. Vetë kreu i shtetit serb ka shpërndarë një foto nga takimi.
“Fola me përfaqësuesit e BE-së dhe vendeve të QUINT-it. U kërkova atyre që të bëjnë çdo gjë që kanë në fuqi dhe të ndalojnë Kurtin që të ndezë një luftë të re në Ballkan”, shkruhej në postimin e Vuçiçit në faqen e tij zyrtare në Instagram.
Më herët në një reagim për televizionet serbe, Vuçiç tha se policët janë arrestuar 1.8 kilometra larg vijës administrative në rrugën Orahovë-Gnjilicë.
“Asnjë ushtar i ushtrisë serbe nuk e ka kaluar kufirin gjatë arrestimit të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës. Ne i arrestuam ata jo 100 metra në territorin e Serbisë qendrore, por 1.8 kilometra nga kufiri. Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në atë zonë pa miratimin e KFOR-it.”
Sipas tij, Serbia ka të dhëna se KFOR-i nuk ishte i informuar për këto lëvizje.
“Ushtria jonë është e stacionuar 5.1 kilometra nga kufiri. Po bëhet një hetim. Ata nuk janë rrahur, as keqtrajtuar, as shpërfytyruar, gjë që u ndodh serbëve kur arrestohen nga policia e Kurtit”, u shpreh Vuçiç.
Kujtojmë që pjesë e vendeve të QUINT-it janë SHBA, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Gjermania.
Ndërkohë tensionet janë rritur sërish në veri të Kosovës pas rrëmbimit të 3 policëve në kufi me Serbinë. Kryeministri i Kosovës ka hedhur akuza ndaj Beogradit zyrtar dhe e ka konsideruar rastin “agresion”. Ai ka bërë thirrje për lirimin urgjent të policëve si dhe reagimin e KFOR e të ndërkombëtarëve pasi rrëmbimi ka ndodhur brenda territorit të Kosovës.