Politika Rrëmbimi i 3 policëve, Xhaçka: Të lirohen menjëherë. Kam komunikuar edhe me...

Rrëmbimi i 3 policëve, Xhaçka: Të lirohen menjëherë. Kam komunikuar edhe me komandantin e KFOR

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, nga foltorja e Kuvendit kërkoi lirimin e tre policëve që u rrëmbyen në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Xhaçka tha se Shqipëria është në një linjë me ndërkombëtarët dhe kërkoi qetësi dhe ulje të tensioneve.

“Jemi të shqetësuar nga rritja e tensioneve dhe sigurisht jemi të angazhuar më të gjithë fuqitë dhe mundësitë tona, me aleatët dhe partnerët, me SHBA, NATO, BE, që situata të mos përkeqësohet më tej. Jemi po ashtu të shqetësuar, por edhe të keq ardhur, që gjendemi në këtë situatë kaq delikate, në një moment kur realisht besonim se kishte një mundësi shumë të mirë, kishte një rast të artë do të thosha, për të arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, që do të çonte drejt një zgjidhje përfundimtare dhe drejt një njohjeje reciproke.

Ky është një shqetësim që në fakt nuk e kemi vetëm ne, por e kanë të gjithë aleatët dhe partnerët, nga i pari tek i fundit. Dhe ky kontekst ndërkombëtar ndihmon shumë për të kuptuar më mirë qëndrimin e Shqipërisë. Por në rastin tonë, shqetësimi bëhet vërtet i madh kur konsideron që aleatët dhe partnerët në mënyrë unanime e gjejnë pjesën më të madhe të përgjegjësisë për këtë që po ndodh tek Kosova, çka ka krijuar mjaft tension dhe çka rrezikon të sjellë pasoja që deri dje as që mund të imagjinoheshin, duke e çuar Kosovën drejt izolimit dhe duke dobësuar në mënyrë shqetësuese pozitat e saj në sytë e SHBA dhe BE.

Situata më e fundit me tre policët e kapur nga ushtria serbe, padyshim e ndërlikon më tej situatën dhe rrezikon t’i hedhë benzinë zjarrit. Ne kemi qenë në kontakt të ngushtë me të gjithë aleatët dhe partnerët për këtë ngjarje. Kam komunikuar edhe me komandantin e KFOR duke kërkuar vlerësimin e tij për çfarë ka ndodhur.

Jemi në pritje të përfundimit të hetimit apo të raportimit që do ti bëjë KFOR NATO-s, por ajo që mund të them në këtë pikë, është që është e domosdoshme që të ruhet qetësia. Dhe është po ashtu e domosdoshme që Qeveria e Serbisë të lirojë pa humbur kohë të tre policët.

Lirimi i tyre do të ishte një kontribut i madh drejt uljes së tensioneve ndërkohë që i lëmë kohë KFOR-it, që ka përgjegjësi për ruajtjen e kufirit të Kosovës në veri, që të zbardhë gjithë çfarë ka ndodhur”, tha Xhaçka.