Gjykata e Lartë ka prishur vendimin për dënimin përjetë të Festim Bexhdilit, ish-kopshtarit të akuzuar për zhdukjen e trupit të Jan Prengës, i cili u rrëmbye më 17 janar 2020 në Kamëz dhe dyshohet se u vra, ndërsa trupi ende nuk i është gjetur.
Një Kolegj Penal vendosi të kthejë për rigjykim çështjen në Gjykatën e Apelit, ku duhet të shqyrtohet nga një trup tjetër gjykues.
Më 20 mars 2023, Apeli i Posaçëm la në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë për dënimin e Bixhdilit, ndërsa SPAK argumentonte se rrëmbimi i Prengës erdhi për shkak të vjedhjes së një sasie kokaine të mbërritur nga Ekuadori, në portin britanik Portsmouth.
SPAK pretendonte në akuzë se Bexhdili ishte personi që siguroi vendin ku është groposur trupi i Jan Prengës.
“I pandehuri nuk ka treguar të vërtetën dhe as vendin ku është fshehur trupi i viktimës dhe nuk e tregon as sot”, tha asokohe prokurorja Elida Kaçkini.
Referuar pretencës së SPAK, ndonëse nuk është gjetur trupi i Prengës, nga analiza e fakteve dhe provave rezulton se ai ka vdekur. Në pamjet filmike në garazhin e kompleksit “Golden” në Shijak, duket viktima që nuk jep asnjë shenje jete për disa orë me radhë.