Kryesore “Rrëmbimi shkoi keq dhe 14-vjeçarja u vra”, skenar horror në RMV: Ngjarja...

“Rrëmbimi shkoi keq dhe 14-vjeçarja u vra”, skenar horror në RMV: Ngjarja u organizua nga i ati për para

Vanja Gjorçevska, 14-vjeçarja e shpallur e zhdukur në 27 nëntor në Shkup u gjet e vrarë mbrëmjen e së dielës në rrethinat e kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut.

Autoritetet njoftuan se ajo është vrarë që ditën e zhdukjes kur u rrëmbye rreth orës 10:00 pranë banesës së saj nga një automjet teksa kthehej nga shkolla. Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski zbuloi në një konferencë për shtyp se 5 persona janë identifikuar si autorë të krimit, 4 prej të cilëve janë ndaluar.

Një prej të akuzuarve është edhe babai i vajzës që dyshohet se organizoi rrëmbimin e vajzës së tij duke pajtuar një grup kriminal me qëllim zhvatjen e parave nga nëna e vajzës. Dyshimet janë se rrëmbimi shkoi keq dhe vajza u vra që në fillim. Dyshohet se kreu i këtij grupi është Ljupço Palevski, kreu i një partie të vogël pro-ruse në Maqedoninë e Veriut.

Ai është shpallur në kërkim dhe dyshohet se menjëherë pas krimit ka udhëtuar drejt Serbisë, më pas në Bullgari dhe tashmë fshihet në Turqi. Gjatë kohës që 14-vjeçarja ishte e zhdukur, partia e tij propagandoi se krimi është bërë nga shqiptarët për t’i dhënë ngjarjes një konotacion etnik. Për këtë shkak Ministria e Brendshme theksoi se të 5 autorët e dyshuar janë me përkatësi maqedonase.

Autoritetet thanë se gjatë hetimeve gjetën edhe trupin e pajetë të një 74-vjeçari nga Velesi i zhdukur në 24 nëntor, edhe ky i vrarë nga i njëjti grup. Vrasja e tij nuk ka lidhje me rastin e 14-vjeçares, por dyshohet se ai u vra për t’i marrë makinën me të cilën edhe u rrëmbye vajza e mitur. Makina u gjet e djegur. Të arrestuarit po mbahen në paraburgim pasi ndaj tyre është caktuar një masë ndalimi për të paktën 48 orë.