Në një kohë kur projektet e infrastrukturës së transportit janë shndërruar në temë kryesore debati në Shtetet e Bashkuara, një kompani start-up në Boston, e mbështetur nga investitorët më në zë të “Sillicon Valley”, ka sjellë projektin ambicioz të një hibridi me shpejtësi të lartë, që do të shfrytëzojë korridoret detare për të lidhur qytetet.
Los Anxhelos-San Diego për 50 minuta dhe Nju-Jork-Boston për dy orë… Pa asnjë pengesë apo vonesë nëpër aeroporte. Ky është “misioni i pamundur” i kompanisë Regent, me aeroplanin-varkë, të quajtur prej tyre edhe “rrëshqitësi i detit”.
Deri tani, themeluesit e kompanisë, të gjithë inxhinierë të aeronautikës dhe teknologjisë së informacionit, kanë mbledhur deri tani 9,5 milionë dollarë fonde, për të sjellë në jetë këtë mjet novator, ku kryqëzohen lundrimi dhe fluturimi.
Ky koncept nuk është ri, pasi është provuar më parë nga Bashkimi Sovjetik në kulmin e Luftës së Ftohtë, por Regent pretendon se ka zgjidhur shumë probleme me të cilat janë përballur ata që e kanë provuar para tyre, duke ndryshuar formën për t’u përshtatur me udhëtimin në det të hapur, ose brenda në port, ku duhet më shumë manovrim.
Themeluesit e projektit kanë besim se do të arrijnë të shfrytëzojnë teknologjinë e fundit për të bërë të mundur që me një bateri të karikuar plotësisht të udhëtohet për 800 kilometra, me një shpejtësi maksimale deri në 290 km/h.
Regent thotë se mjeti hibrid do të ketë vend për 12 persona, por ka edhe një plan për një “rrëshqitës” më të madh, me kapacitet për 50 persona. Kompania shpreson që udhëtimi debutues të realizohet në vitin 2023.