Bota Rreth 19 mijë viktima nga tërmeti në Turqi, Erdogan: Kërkimet po vijojnë...

Rreth 19 mijë viktima nga tërmeti në Turqi, Erdogan: Kërkimet po vijojnë me intensitet, po na ndihmojnë 94 shtete

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vizituar të tjera zona të prekura nga tërmeti shkatërrimtar i 6 Shkurtit. Erdogan ishte këtë të premte në provincën e Adiyaman, e cila është një nga zonat më të prekura. Erdogan  shpreh se deri më tani kanë humbur jetën 18 991 persona, ndërsa mbi 75 mijë të tjerë kanë mbetur të lënduar. Mbi 76 mijë njerëz janë larguar nga zona për në rajone të tjera.

Erdogan u shpreh se ka dhënë urdhrin për nisjen e punës për rindërtimit. Ai theksoi se aktualisht, puna e trupave të kërkimit vështirësohet për shkak të sipërfaqes së madhe që goditi tërmeti dhe dimrit me temperatura shumë të ulëta.

“Kemi patur edhe probleme gjatë kësaj situate, por jemi munduar që të operojmë sa më mirë”, u shpreh ai.

Erdogan bëri me dije se në ndihmë të Turqisë kanë shkuar ekipe nga 94 shtete të ndryshme të botës dhe kërkimet vijojnë me intensitet.

“Na kanë ardhur ekipe për kërkime nga të katër anët e botës. Kanë ardhur ekipe nga 94 shtete dhe kërkimet vijojnë me intensitet. Aktualisht kemi mbledhur numrin më të madh të ekipeve të kërkimit në botë”, u shpreh ai.

Në dy qytete ka përfunduar procesi i kërkimit dhe ka nisur heqja e rrënojave.

Ai këshilloi qytetarët që të mos hyjë në ndërtesat që kanë pasur dëmtime. Urdhër ka dhënë edhe për Turkish Airlines, që për vullnetarët apo qytetarët që kanë nevojë fluturimet të jenë falas.

Erdogan premtoi ndëshkim për të gjitha organizatat që kërkojnë të përfitojnë nga situatë.