Shefi i CIA-s, William Burns ka shprehur besimin se as Izraeli dhe as Irani nuk duan një “konflikt total”, në një kohë kur Lindja e Mesme duket se po shkon drejt një lufte me shumë aktorë të përfshirë.
Burns duke cituar informacione nga komuniteti i inteligjencës amerikane shtoi se gjithmonë ekziston një rrezik i madh që kjo llogaritje të jetë e gabuar.
“Ne përballemi me rrezikun shumë real të një përshkallëzimi të mëtejshëm rajonal të konfliktit”, tha Burns gjatë një konference në SHBA.
Ai tha gjithashtu se Izraeli “po peshon me shumë kujdes” strategjinë që do të përdorë për t’iu përgjigjur sulmit që Irani bëri javën e kaluar, në të cilin Teherani lëshoi rreth 200 raketa balistike.
Burns në vijim paralajmëroi se ekzistonte potenciali për “llogaritje të gabuara” pasi “Lindja e Mesme është një vend ku gjëra të ndërlikuara po ndodhin gjatë gjithë kohës”.
Për kreun e CIA-s, sulmi i javës së shkuar në drejtim të Izraelit zbuloi disa kufizime në aftësitë ushtarake të Iranit.
Burns thotë se, një kombinim i ndarjes së informacioneve të inteligjencës mes SHBA dhe Izraelit dhe sistemet e integruara mirë të mbrojtjes kishin lejuar dështimin e sulmit masiv raketor nga Irani në 1 tetor. Sulmi sipas tij kishte ekspozuar kufizime në kapacitetet ushtarake të Teheranit, por megjithatë shtoi se këto kapacitete ishin të fuqishme mjaftueshëm, sa për tu marrë shumë seriozisht si nga Izraeli ashtu edhe nga SHBA
“Kjo nuk do të thotë se ato aftësi nuk janë ende mjaft të forta dhe është diçka që jo vetëm Izraeli, por Shtetet e Bashkuara duhet ta marrin shumë seriozisht ndaj tyre”, theksoi ai.
Sa i përket programit bërthamor të Teheranit, Burns tha se ai dukej se ishte përshpejtuar, por nuk dha asnjë tregues se Irani kishte ndryshuar mendje për pezullimin e pasurimit të uraniumit dhe përmirësimit të teknologjisë ushtarake.
Në lidhje me Gazën, Burns theksoi se përpjekjet për të arritur një marrëveshje për pengjet dhe një armëpushim kanë qenë “të paarritshme” deri më tani, megjithëse ato janë afruar ndonjëherë.
“Ajo që është në rrezik në Gaza është formuar nga vullneti politik”, shtoi shefi i CIA-s.
Shefi i CIA-s pohoi se Izraeli i kishte shkaktuar dëme shumë të mëdha Hezbollahut, dhe se aktualisht ishte duke përgatitur hakmarrjen ndaj sulmit iranian. Por edhe pse ka shënuar një seri suksesesh taktike, sipas Burns, sfida do të jetë ndërthurja e forcës me inteligjencën dhe diplomacinë për të arritur një armëpushim në veri të Libanit e po ashtu në Gaza.
Zyrtari i lartë që është përfshirë në negociatat për paqen dhe lirimin e pengjeve tha se me raste marrëveshja ka qenë shumë e afërt, por mbetej ende e paarritshme