Politika “Rrezikon 15 vite burg”, Bardhi: E ftoj Ahmetajn të bëhet bashkëpunëtor i...

“Rrezikon 15 vite burg”, Bardhi: E ftoj Ahmetajn të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë

Po zhvillohet në Kuvendin e Shqipërisë seanca e posaçme për heqjen e imunitetit të Arben Ahmetajt.

Deputeti Gazment Bardhi tha se interesi i opozitës është që t’i japë sa më shpejt autorizimin SPAK-ut që të ndjekë procedurat për arrestimin dhe identifikimin se ku është fshehur Arben Ahmetaj. Këtë të fundit, sipas Bardhit, e ka fshehur Edi Rama.

“Meqenëse zoti Ahmetaj është fshehur, ndërkohë që u fsheh edhe Edi Rama, unë do vazhdoj me raportin. Interesi i opozitës është dhënia një orë e më parë autorizimit për Prokurorinë për ndjekjen e procedurave të mëtejshme dhe për të identifikuar vrimën ku Edi Rama ka fshehur Arben Ahmetajn. Kjo është arsyeja pse do vijoj me raportin, jo për faktin se na kërcënuat se do na hiqni të drejtën e fjalës”, tha Bardhi.

Bardhi tha se mazhoranca duhet t’u kërkojë falje deputetëve opozitarë të komisionit hetimor për inceneratorët të cilët i kanë tallur dhe intimiduar për këtë çështje.

“Si opozitar do duhet të isha i lumtur që një koleg i mazhorancës, apo ish-ministër dhe zv/kryeministër shkon në burg. Pasi kam lexuar dosjen e ardhur nga SPAK nuk ndjej asnjë lumturi për shkaqet për të cilat ky zotëria po shkon në burg. Zotëria kërkohet të shkojë në burg sepse ka vjedhur paratë tona. Historiku i vjedhjes së këtyre parave është i tillë. Dy biznesmenë pa asnjë kapacitet financiar, për shkak të njohjes me njeriun më të afër të Edi Ramës, trurin e tij financiar në momentin kur erdhi në qeveri, krijoi një skemë shumë kohë përpara se të niste procedura për të fituar 430 milionë euro. Përgatisin në një zyrë private të biznesmenit të gjitha letrat, dokumentet, procedurat. Me ndihmën e Edi Ramës dhe mikut të tyre Arben Ahmetaj dhe me përfshirjen e një numri të konsiderueshëm të kabinetit të Ramës këta dy zotërinj fillojnë të marrin paratë tona për të ndërtuar inceneratorë për djegien e mbetjeve dhe sot pas 6-7 viteve janë jashtë funksionit.

PD e ka denoncuar këtë aferë nga 2018, por kryeministri, ministrat, kolegët deputetë të mazhorancës, jo vetëm nuk na dëgjuan, por filluan të na sulmonin, filluan të na tallnin, filluan të intimidonin cilindo që përmendte aferën e inceneratorëve. Sot është dita që ky krahu këtej i seancës t’i kërkojë ndjesë secilit prej kolegëve tanë në atë komision hetimor që me punën e tyre edhe pse të intimiduar e shantazhuar, edhe pse të fyer i shkuan deri në fund zbulimit të së vërtetës”, tha Bardhi

Bardhi, u shpreh në seancën e jashtëzakonshme të kësaj të premteje se Ahmetaj rrezikon jo më pak se 15 vite burg.

Ai i bëri thirrje Ahmetajt të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Sipas Bardhit, koka e inceneratorëve është Edi Rama.

“Ish-zëvendëskryeministri i vendit, krahu i djathtë i Edi Ramës, njeriu i tij më i besuar, rrezikon jo më pak se 15 vite burg, jo vetëm për korrupsion, jo vetëm për shpërdorim detyre, por dhe për pastrim parash përmes transaksioneve kriminale me dy bosët e inceneratorëve. Pjesë e këtij hetimi do të duhet të jetë edhe koka e kësaj afere, i cili është Edi Rama. Pa ndihmën e kryeministrit askush nuk mund të miratonte 17 vendime brenda ditës. E ftoj Ahmetajn të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë”, tha Bardhi.