Bota Rreziku i një vale të dytë, ja cilat vende evropiane po ashpërsojnë...

Rreziku i një vale të dytë, ja cilat vende evropiane po ashpërsojnë masat

Përballë rritjes së numrit të rasteve me koronavirusin SARS-CoV-2 dhe kërcënimit të një vale të dytë, autoritetet e disa vendeve të Europës kanë rritur masat antiCOVID-19.

Rikthimi i kufizimeve dhe masave të tjera si mbajtja e detyrueshme e maskës, janë vendosur këto ditët e fundit në Europë.

Spanjë

Rreth katër milionë banorëve të zonës metropolitane të Barcelonës, në verilindje të Spanjës, u është bërë thirrje nga qeveria rajonale katalanase, që nga sot, të qëndrojnë në shtëpi përveç rasteve të nevojës së parë, për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19.

Autoritetet rajonale kanë vendosur gjithashtu të mbyllin kinematë, teatrot, diskotekat, të ndalojnë takimet prej mbi 10 persona, vizitat në azile dhe gjithashtu kanë kufizuar kapacitetin e pritjes në 50% në bare dhe restorante.

Paralelisht, që prej 15 korrikut, banorët e qytetit katalanas të Leridas dhe komunave përreth, rreth 250 000 persona, janë rikufizuar.

Portugali

Në rajonin e Lisbonës, rikthehet kufizimi në shtëpi që nga 1 korriku për 700 000 banorë në 20 lagje. Këto masa u zgjatën të paktën deri në fund të korrikut.

Britani e Madhe

Më 29 qershor, qeveria britanike rikufizoi qytetin e Leicester, me mbylljen e dyqaneve jo thelbësore për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19. Rikufizimi do të lehtësohet pjesërisht më 24 korrik, njoftoi qeveria.

Mbajtja e maskës do të bëhet e detyrueshme në të gjitha dyqanet në Angli duke filluar nga 24 korriku.

Irlandë

Vendi do të rihapte plotësisht baret më 13 korrik, por e shtyu fazën e fundit të lehtësimit të masave më 10 gusht, për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19. Grumbullimet janë të kufizuara në 50 persona në ambientet e brendshme dhe 200 në ambientet jashtë, ndërkohë që mbajta e maskës është bërë e detyrueshme në dyqane.

Francë

Mbajtja e maskës do të bëhet e detyrueshme në të gjitha vendet e mbyllura, veçanërisht në dyqane duke filluar nga java e ardhshme.

Në departamentin e Mayenne (perëndim), që numëron disa vatra, mbajtja e maskës është e detyrueshme në vendet e mbylluta publike të gjashtë komunave, përfshirë dhe prefekturën Laval.

Belgjikë

Që nga 11 korriku, mbajta e maskës është e detyrueshme për çdo persona të paktën 12 vjeç në vendet e mbyllura publike (dyqane, kinema, biblioteka, vende kulti, etj). Më parë ikjo masë ishte vendosur vetëm në transportin publik. Për shkak të rritjes së lehtë të infeksioneve, autoritetet nuk kanë njoftuar asnjë lehtësim të kufizimeve për grumbullimet.

Gjermani

Gjermania, një prej vendeve, deri tani më të kursyera në Europë nga koronavirusi i ri, ka riforcuar dispozitivin e saj kundër pandemisë përballë rrezikut për një valë të dytë të importuar nga pushuesit e kthyer nga pushimet.

Autoritetet gjermane do të vendosin masa kufizuese më të ashpra në nivel lokal në rast të shfaqjes së ndonjë kulmi kontaminimesh.

“Qeveria dhe shtetet rajonale kanë rënë dakord që “ndalimet e daljes” të lëshohen në nivelin e zonave të kufizuara gjeografike për banorët që do të rikufizoheshin pas shfaqjes së ndonjë vatre të COVID-19″, njoftoi kancelaria.

Hungari

Vendi ka ndaluar që nga mesi i korrikut hyrjen në territorin e tij për shtetasit e vendeve afrikane si Amerika e Jugut, e pjesës më të madhe të vendeve aziatike dhe të shteteve të caktuara europiane, në kuadër të rritje së numrit të rasteve me COVID-19.