Pothuajse katër vite, pasi gati 1 milion refugjatë u pritën në vend, Gjermania ka mbyllur në heshtje dritaren mbi aplikimet për azil dhe është duke e zhvilluar “betëjën” nëpërmjet deportimeve.
Ky trend ka vazhduar edhe pasi numri i njerëzve që mbërrijnë në Evropë ka rënë me 80% që nga kulmi i krizës së emigrantëve në vitin 2015, sipas OKB. Të mërkurën, Ministri i Brendshëm Horst Seehofer njoftoi se në 2018, Gjermania pranoi rreth 185,000 aplikime për azil, një rënie me 17% krahasuar me vitin e kaluar dhe shumë më pak se kulmi që u regjistrua në vitin 2015 me 890 mijë kërkesa.
“Tani e kemi problemin nën kontroll, i kemi vënë gjërat në rregull”, tha Seehofer. “Ne ofrojmë mbrojtje për njerëzit që janë pjesë e shtresave vulnerabël, megjithatë, popullsia jonë do të pranojë azilantë, nëse ne arrijmë të riatdhesojmë ata që nuk kanë nevojë të mbrohen”.
Seehofer me krenari deklaroi se shifra e azilkëkruesve është brenda “kufirit të sipërm” të migrimit të miratuar nga qeveria e koalicionit gjerman.
Aplikimet kanë rënë, deportimet në rritje
Por ajo që ministri Seehofer nuk tha ishte se ndërsa numri i aplikimeve po bie, numri i deportimeve duket të jetë në rritje.
Shifrat e Ministrisë së Brendshme të ofruara në përgjigje të një pyetjeje nga ligjvënësit e Partisë së Majtë tregojnë se pas krizës së emigrantëve numri i deportimeve gati është dyfishuar në 20 mijë deportimve në vit dhe ka qëndruar përafërsisht në atë nivel që nga ajo kohë, pavarësisht rënies së madhe të të ardhurve.
Vitin e kaluar, më shumë se 8,000 njerëz u kthyen në vendet e Bashkimit Europian, ku ata arritën herën e parë.
Shifrat e deportimit gjithashtu tregojnë se si vendet e BE-së vazhdojnë të grinden se kush duhet të jetë përgjegjës për azilkërkuesit që vijnë. Për shembull, Gjermania riatdhesoi më shumë se 30% të emigrantëve në Itali, por Greqia refuzoi të pranojë shumicën e kërkesave për transferim nga Gjermania dhe Hungaria nuk pranoi asnjë.
Shifrat japin gjithashtu një tregues të largimit të Gjermanisë nga “Ëilkommenskultur” ose “kultura e mirëpritjes” që përshëndeti refugjatët në vitin 2015 kur kancelaria Angela Merkel i fitoi zemrat e gjermanëve me shprehjen “Ëir Schaffen Das” ose “Ne mund ta bëjmë këtë”.
Vala e ekstremit të djathtë
Që atëherë, partia kundër emigracionit Alternativa për Gjermaninë (AfD) është rritur në sondazhe. Disa krime të profilit të lartë që përfshijnë emigrantët kanë zhvendosur opinionin publik, veçanërisht sulmet masive seksuale të Vitit të Ri 2015-16 në Këln, ku shumë gra u sulmuan nga bandat e “burrave të Afrikës së Veriut”, sipas policisë.
Verën e kaluar, protesta të dhunshme shpërthyen në rrugët e qytetit gjerman të Chemnitzit, pasi një burrë në lokal u qëllua me thikë nga dy emigrantë.
Sulmet ndaj qytetarëve kanë shtyrë partitë gjermane të qendrës për të goditur imigracionin, veçanërisht Bashkimin Kristian Demokrat të Merkelit dhe partinë e saj bavareze, Bashkësia Kristiane Sociale (CSU), e cila ishte nën udhëheqjen e Seehofer.
Por nuk ka asnjë garanci se linja e ashpër ndaj emigracionit do të bëjë që partitë e qendrës në Gjermani të fitojnë vota më shumë në zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa Seehofer drejtoi të ashtuquajturin “Masterplan për Migracionin” të qeverisë, CSU humbi vota të cilat shkuan për të dyja AfD-në e djathtë dhe të Gjelbrit, duke kërkuar një politikë shumë më liberale të imigracionit në të majtë. Seehofer që prej atëherë është votuar si udhëheqës i partisë CSU.
Vendet e sigurta
Javën e kaluar, Dhoma e Ulët e Bundestagut gjerman votoi për të vendosur në listën e saj të “vendeve të sigurta të origjinës” edhe Marokun, Algjerinë, Tunizinë dhe Gjeorgjinë, duke e bërë shumë më të vështirë për azil-kërkuesit nga ato vende të fitojnë statusin e refugjatit.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, më 2017 më shumë se 15,000 njerëz nga këto katër vende kanë aplikuar për statusin e refugjatëve, por vetëm shtatë prej tyre kanë marrë azil.
Rreth 300 shtetasve prej këtyre vendeve u është dhënë një formë e mbrojtjes së përkohshme humanitare, e cila nuk do të ndodhë më, nëse këto vende do të vendosen në listën “e vendeve të sigurta”.
Ndërsa Seehofer tha se riklasifikimi do të përshpejtonte procesin e aplikimit të refugjatëve, Luise Amtsberg, zëdhënësja e çështjeve të azilit për të Gjelbrit, nuk u pajtua me ministrin.
“Unë personalisht mendoj se gjëja më e keqe në lidhje me këtë debat është se ai përpiqet të mashtrojë njerëzit në Gjermani duke menduar se riklasifikimi i këtyre katër vendeve mund të zgjidhë potencialisht problemet që kemi me politikat tona të azilit”, tha ajo.
Humbja totale e burimeve
Vendimi për të dëbuar më shumë emigrantë tani ka shkuar në një fazë të re, përtej aplikantëve të rinj. Pra verifikimi po ndodh edhe për ato raste që kanë mbetur në një “fushë gri” ligjore për vite në Gjermani, thotë një avokat i imigracionit.
“Ne shohim tani një lloj urgjence për të rritur shifrat e deportimit, për shembull të njerëzve që kanë jetuar në Gjermani për 30 vjet, janë të martuar me një gjerman ose kanë një fëmijë gjerman. Njerëzit që pothuajse me siguri do të mund të marrin përsëri vizën. Pra, është një humbje e plotë e burimeve”, thotë Philipp Pruy, një avokat i imigracionit.
“Pyetja është nëse ata mund të vazhdojnë me këto dëbime për një afat të gjatë, sepse kërkon një investim të mëdha financiar dhe njerëzor, pra të personelit. Për këtë duhet të realizohen zëvendësimet e pasaportave, të trajtohen personat e marrë në paraburgim, arrestimet e dorëzuara, aeroplanët e ngarkuar, ndaj unë dyshoj që mund t’ia dalim me këtë çështje me kaq shpejtësi”.