Për shkak të vështirësive financiare shkaktuar nga kriza e Coronës, Lufthansa duket se ka nevojë për ndihma nga shteti. A do të shndërrohet shoqëria ajrore gjermane në sipërmarrje shtetërore?
Për të ndihmuar shoqërinë ajrore gjermane Lufthansa që të kalojë krizën e Coronës qeveria gjermane ofron nëntë miliardë euro dhe dëshiron që të ketë në zotërim 20 përqind të aksioneve të shoqërisë ajrore. Qeveria gjermane planifikon gjithashtu një konvertim të bonove me vlerë pesë përqind plus një aksion, që mund të shndërrohet në aksione të zakonshme, për shembull për ta mbrojtur Lufthansën në rast rreziku prej ndonjë blerjeje “armiqësore” nga një palë e tretë.
Përveç këtyre qeveria gjermane kërkon edhe dy vende në bordin mbikëqyrës, por në të cilët ajo nuk dëshiron të dërgojë politikanë, por menaxherë, si në rastin e Airbus-it.
Marrëveshja për ndihmën nuk është nënshkruar ende, po a do të thoshte një marrëveshje e tillë dhe gjithë masat përkatëse shtetëzim të Lufthansës?
Partia Socialdemokrate ishte shprehur për 25 përqind të aksioneve, gjë që do t’i jepte qeverisë të drejtën e fjalës në marrjen e vendimeve të shoqërisë ajrore. Por me 20 përqind qeveria nuk e ka më numrin e nevojshëm për të pasur të drejtën për të bllokuar vendime të rëndësishme.
Sipas ekspertëve pjesëmarrja e shtetit tek Lufhansa duhet të shërbejë vetëm për ta stabilizuar këtë shoqëri ajrore në këto kohë të trazuara, për të cilat ajo nuk është përgjegjëse. Por kur kriza të mbarojë, të dyja palët duhet të diskutojnë sa më shpejt për daljen e shtetit nga ky biznes.
Jo si Alitalia
Kryeministri i Bavarisë Markus Sëder (CSU) është pro planit të parashikuar për ndihmën shtetërore për Lufthansën, sepse ky do ta ndihmojë shoqërinë ajrore “të rimëkëmbet pa u shtetëzuar”. Shteti duhet të jetë si anije shpëtimi që të ndihmon dhe pastaj pas një farë kohe tërhiqet, tha shefi i CSU-së.
Edhe zëdhënësi për politikat ekonomike të partive të Unionit CDU dhe CSU, Joachim Pfeiffer, tha që shteti nuk duhet të përfshihet për një kohë të gjatë dhe as të ndërhyjë në vendimet operative të kompanisë. Si rast negativ ai solli kompaninë ajrore italiane Alitalia.
E ardhme e pasigurt
Por problemi qëndron në faktin se askush nuk e di se kur do të marrë fund vërtet pandemia e Coronës, dhe se nëse fluturimet me avion do të vazhdojnë të jenë tërheqëse. Pandemia tregoi se shumë takime mund të zhvillohen në formën e videokonferencave dhe mjaft kompanive u duhet gjithsesi të kursejnë. Po ashtu kontrollet e rrepta higjenike, radhët e gjata të pritjes në aeroporte mund të ndikojnë në rënien e numrit të pasagjerëve.
Pra me sa duket nëse marrëveshja e ndihmës do të nënshkruhet shteti do të qëndrojë për shumë kohë në bordin e Lufthansës./DW