Nga Mero Baze
Edi Rama ka ndërtuar një qeveri të parashikueshme, bazuar tek nevoja për të përfaqësuar partinë tek njerëzit e suksesshëm të saj dhe tek fasada si taksë e Edi Ramës. Tre “musketjerët” e qeverisë, duket se janë Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj dhe Blendi Klosi, të cilëve u ka dhënë më shumë se gjysmën e qeverisë së kaluar në duar, bazuar në suksesin e tyre elektoral dhe qetësinë që i krijojnë në punë me të. Të tre ish ministrat që kanë thuajse gjithë pushtetin, janë figura luajale me shumë faktorë politikë brenda PS dhe jashtë saj, janë shumë familjarë me botën e biznesit, përfshi dhe dhe oligarkët e mëdhenj të Shqipërisë dhe të lidhur me shumë fije dhe me botën e shtypit. Përtej kësaj, secili më vete ka dhe tiparet e tij.
Gjiknuri është një makinë elektorale, dhe zyrtar që mban ngarkesë të lartë pune.
Klosi është një personazh shumë i pranuar brenda PS, që po ashtu ka përballuar një betejë elektorale të vështirë përballë LSI në Berat, ndërsa Ahmetaj është ndoshta i vetmi ministër që i heq frikën Edi Ramës nga bota e vështirë e financës dhe ekonomisë me lehtësinë që ka, “për të thënë, mirë të bëhet mirë”. Ai pati sukses të ndjeshëm në shifrat e financës dy vitet e fundit që mori Ministrinë e Financave, përmirësoi rritjen ekonomike, stabilizoi disa faktorë makroekonomikë dhe relaksoi raportet me FMN. Plus kësaj, ai i mbijetoi një beteje të paparashikuar elektorale në Kavajë, duke mbajtur PS në kuotat e saj, edhe pse rreziku për të humbur gjithçka ishte gati nga grryerja prej efektit “Rroshi” në Kavajë, që u pa me atë që ndodhi me Bashkinë.
Fatmir Xhafaj ishte i vetmi që dihej se ishte ministër dhe ka qenë ministër në hije dhe gjatë kësaj kohe që i ka përgatitur Edi Ramës skemën e re të organizmit të Ministrisë së Brendshme, duke u fokusuar shumë tek Vettingu i policisë, lidhjet e forta të policisë me komunitetin dhe përmirësimi i imazhit në bashkëpunimin me partnerët Perëndimorë.
Lindita Nikolla është rikonfirmuar jo vetëm për suksesin elektoral në Lezhë, por dhe faktin që ka kompletuar ndërkohë reformën në arsim duke e bërë atë funksionale dhe të prekshme për çdo student.
Niko Peleshi, i cili ishte në një farë mënyre një kancelar i qeverisë “Rama1”, ka marrë përsipër Bujqësinë, sektorin më jetik të vendit dhe thuajse e vetmja shpresë që kemi për mbijetesë ekonomike. Dhe besoj që është zgjedhje e mirë.
Prurjet e reja në qeveri, të cilat në shumicë janë femra, duket se vijnë më shumë për shkak të skemës që Rama ka në kokë për barazinë gjinore, se sa për identitetin e tyre. Ato janë aty për të prodhuar lajm për barazinë gjinore më shumë se sa për të ofruar vlera surprizë, siç premtoi Rama në periudhën e torturës ndaj PS, kur nuk debatonte për emrat e mundshëm.
Edhe pse Edi Rama do të hyjë në histori si politikani që ka promovuar më shumë femra në karrierën politike, ai po ashtu do të hyjë në histori, si politikani i sasisë dhe jo cilësisë. Ende nuk kemi një femër simbol të PS, që është produkt politik i Edi Ramës, siç ka pas mbetur nga pushteti i Nanos, Arta Dade apo Valentina Leskaj, apo nga Berisha, Topalli apo Bregu. Dhe kjo vetëm për shkak të vesit të tij për t’u foksuar tek sasia, por dhe tek mosdurimi për të vazhduar promovimin pasi bëhen të njohura. Sot imazhi i femrave që ka promovuar Edi Rama, janë drejtoreshat e tij, në tërësinë e tyre, të bukura, arrogante shpesh kokëboshe dhe nga pak hajdute. Askush prej tyre se ka luksin të mbetet aset politik. Nuk njoh ndonjë socialist qe voton PS për shkak të tyre. Thjeshtë drejtoresha që herë-herë quhen dhe ministre.
Në tërësinë e saj kjo është një qeveri e cila i duhet Edi Ramës, pasi ka brenda saj mjaftueshëm njerëz që mbajnë ngarkesën e qeverisjes në stilin e tij dhe mjaftueshëm fasadë për t’u dukur dhe e bukur.
Rreziku i vetëm për Edi Ramën në këtë qeveri, është se kjo është një qeveri tërësisht e tij, dhe i heq atij çdo alibi për dështimin e saj.
Asnjë qeveri prej vitit 1991, nuk ka qenë e gjitha e kryeministrit, sa është kjo. Berisha si më autoritari, prej vitit 2005 ka qeverisur me njerëz që nuk i ka dashur dhe nuk e kanë dashur. Fjala vjen ai ka pasur në qeveri, Genc Pollon, Genc Rulin, Arben Imamin, Nard Ndokën, Ferdinand Xhaferin e ndonjë tjetër që në fakt nuk e kanë dashur dhe ai e dinte këtë. Dhe ata janë sjellë paksa si ministra të pavarur brenda qeverisë. Në mandatin e tij të dytë kishte shtesë dhe ministrat e LSI.
Kjo është hera e parë që një kryeministër ka një qeveri për qejf të vet, duke ekspozuar dhe veset që mbartin qejfet e tij. Është e sigurt se qeveria ka lënë shumë të zhgënjyer brenda grupit parlamentar që natyrisht nuk kanë ndërmend të ngrenë zërin, por e keqja është se mund të heshtin dhe kur qeveria të ketë nevojë për mbështetje. Ndaj është mirë që qeveria, por sidomos Edi Rama, të fillojë të mendojë t’i bëjë të gjithë të ndjehen të fituar dhe në pushtet. Sidomos brenda PS.