Një aeroplan me 176 persona në bord është rrëzuar në Iran menjëherë sapo u ngrit në fluturim nga aeroporti “Imam Khomeini” i Teheranit. Të gjithë personat që ndodheshin në bord humbën jetën. CNN raporton se aeroplani ishte i linjës ajrore të Ukrainës.
Ambasada ukrainase në Teheran ka përjashtuar pistën e terrorizmit si shkak të rrëzimit të avionit Boeing 737. Raportet paraprake tregojnë se ka qenë një mosfunksionim në motor shkaku i përplasjes së aeroplanit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet për vizitë në Oman, reagoi duke thënë se do të anulojë pjesën e mbetur të udhëtimit të tij dhe do të kthehet në Kiev.
“Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjarët dhe të dashurit e pasagjerëve dhe stafit të ekuipazhit”, ka thënë Zelensky.
Autoritetet iraniane kanë thënë se aeroplani u rrëzua 2 minuta pasi ishte ngritur në fluturim.