Arta Marku mbushi një vit në krye të postit si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme. Pas mësimit që i dhanë vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së, duke i tërhequr vëmendjen për mungesë lidershipi, leksioni numër dy i jepet zonjës Marku nga gjyqësori.
Është Gjykata Administrative e cila ka shpallur si të pavlefshëm urdhrat e transferimit të prokurorëve që u firmosën nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme gjatë debatit për Shullazin. Në dy vendime të ndryshme, Gjykata Administrative çmon se urdhrat e transferimit të prokurorëve të Krimeve të Rënda duhet të ishin minimalisht të argumentuara, edhe pse në atë kohë Arta Marku u justifikua publikisht duke thënë se nuk mund të rrinte duarkryq.
“Të dashur qytetarë, unë vërtet jam Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, por krimi i organizuar punon me kohë të plotë. Është në detyrimin tim ligjor që të marr masat e nevojshme për cilindo prokuror që refuzon pa asnjë shkak ligjor që të ushtrojë detyrën e tij”, thonte Marku.
Dhjetorin e vitit të kaluar, Arta Marku garoi për këtë detyrë me premtimin se nuk do të ndiqte gjurmët e Adriatik Llallës për komandimet, por në fakt ndoqi të njëjtën formulë.
“Lidhur me kërkimin e paditësit për paligjshmëri të aktit administrativ objekt gjykimi, gjykata vlerëson se urdhëri bie kundërshtim me nenin 59 të ligjit numër 96 2016. Ai nuk përmban elementët e domosdoshëm të kërkuar nga ky ligj. Për këtë arsye ky akt duhet shfuqizuar”, lexohet në një vendim të Gjykatës Administrative.
Pavarësisht moderimit të ligjit duke hequr termin komandim e duke e zëvendësuar me termin caktim, në fakt prokurorët vazhdojnë të qëndrojnë të komanduar për një afat më tepër se tre muaj. /Tch