Bota Rrëzohet avioni zjarrfikës në Greqi, vdesin dy pilotët (VIDEO)

Rrëzohet avioni zjarrfikës në Greqi, vdesin dy pilotët (VIDEO)

Dy pilotët që ndodheshin në aeroplanin Canadair që u rrëzua në Greqi kanë ndërruar jetë.

Kapiteni i skuadriljes, 34-vjeçari Christos Moulas dhe nëntogeri Periklis Stefanidis 27-vjeç, e dhanë frymën e fundit në krye të detyrës.

Avioni i modelit “Kanadair” ra gjatë përpjekjeve për të shuar flakët në vatrën e shpërthyer prej ditësh në jug të ishullit Eubea, pasi goditi një pemë.

Pilotet qe vdiqen

Tragjedia që ndodhi rreth orës 15:00 sipas orës lokale, tregon vështirësitë me të cilat po përballen ekipet e zjarrfikësve për të vënë nën kontroll qindra vatra zjarri në gjithë Greqinë.

Këto janë momentet kur një avioni i forcave zjarrfikëse greke humb kontrollin dhe bie në tokë duke shpërthyer në flakë.

Situata më e rëndë është në ishullin e Rodhosit, ku vatra e madhe që u duk sikur u vu nën kontroll është rikativizuar me valën e re të të nxehtit të kësaj të marte, ku temperaturat kanë arritur 45 gradë Celsius. Flakët masive kanë djegur gati 1/3-ën e ishullit dhe kanë detyruar të evakuohen mbi 20 mijë banorë e turistë.

Evakuime masive po bëhen edhe në Korfuz, ku vatra është aq e madhe sa duket edhe nga Saranda.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis kërkoi marrjen urgjente të masave para fuqizimit të erërave që parashikohen këtë javë dhe që pritet të vështirësojnë situatën.

“Ditët në vazhdim, veçanërisht të enjten, do ta kemi shumë të vështirë. Mesdheu është shndërruar në një pikë të nxehtë të ndryshimeve klimatike, ndaj më lejoni ta them qartë, mbrojtja ndaj pasojave të kësaj situate nuk vjen me magji”, tha kryeministri grek.

Mitsotakis paralajmëroi ndëshkime të ashpra për zjarrvëniet. Për 7 ditë në gjithë Greqinë janë djegur në total mbi 340 mijë hektarë pyje.