Avokati Genc Gjokutaj është vënë nën hetim për veprën penale “thirrje publike për veprime të dhunshme”.
Shkak për këtë është bërë një status i tij në rrjetet sociale ku bën thirrje për “vrasje të patronazhistëve, rrahje të policëve” si edhe “djegie të sporteleve”.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në ngarkim të shtetasit G .Gj., me profesion avokat, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme“, parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal.
Procedimi ndaj këtij shtetasi filloi pasi gjatë monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura të informacionit nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, është konstatuar një postim, i publikuar nga shtetasi G. Gj., i cili bën thirrje për të kryer veprime të dhunshme, postim ky i cili konstatohet se është publikuar dhe në media të ndryshme online”, njofton Policia.
Statusi i ish-avokatit të Berishës, erdhi pas miratimit të Kodit të Ri Zgjedhor.
“Të dashur Shqiptarë! Diktaturat nuk rrëzohen me kode zgjedhore! As me amendime ligjesh! Hajduti kapet në vjedhje dhe jo me përmirësim të ligjit apo ashpërsim dënimi! Vetëm revolta popullore dhe forca njerëzore shkulin hajdutët nga pushteti! Shqiptare që e doni Shqipërinë dhe jo që dini shqip! Dilni nga shtëpitë sot! Thyeni çdo sportel qe ju kërkon shpirtin! Rrihni çdo polic që mbron hajdutet! Vrisni çdo patronazhist që ju vjedh të ardhmen dhe familjen! Vetëm kështu shqiptarët mund të bëhen Zotërinj dhe Shqipëria Zonjë”, ishte postimi i Gjokutajt.
Pas nisjes së hetimit, ai ka reaguar me një status tjetër duke sqaruar se nuk ka nxitur dhunë, por një formë shprehjeje për proteste.
“Mbrëmë kam bërë një status, në të cilin bëhet fjalë mbi konceptin tim për rrotacionin politik, i cili duhet të bazohet te protesta popullore! Thirrjet ne status si… thyeni çdo sportel që ju merr shpirtin nënkupton kundërshtimin ndaj administratës së korruptuar në abuzimin me fondet publike! Thirrja…. rrihni çdo polic që mbron hajdutet, nënkupton kundërshtimin dhe mosbindjen civile ndaj shtetit që merr ne mbrojtje hajdutët! Thirrja ….”vrisni” çdo patronazhist që ju vjedh të ardhmen dhe familjen nënkupton zhdukjen e sistemit te patronazhimit, i cili vjedh votën e lirë!
Të nderuar Miq! Sot nëpërmjet Medias erdha në dijeni të procedimit penal ndaj meje në lidhje me këtë status! Konsideroj dhe bëj me dije se asnjëherë në jetën time nuk kam shkelur ndonjëherë ligjin! Protesta ime e shprehur në çdo lloj forme nuk ka lidhje me dhunën por me forcën e Opozitës në përballjen me Shtetin që po gërryhet çdo ditë nga korrupsioni!
Ju garantoj se kam qene e mbetem një kundërshtar i kësaj Mazhorancë duke luftuar çdo dite për mbrojtjen e Ligjit dhe Lirisë së nëpërkëmbur nga Pushteti”, shkruan Gjokutaj.