Ekonomi Rriten sërish çmimet e karburanteve

Rriten sërish çmimet e karburanteve

Çmimet e karburanteve në Shqipëri kanë pësuar një rritje deri 8 lekë për litër.

Një litër naftë tregtohet me 192 lekë për litër, nga 185 lekë që ishte disa ditë më parë. Ndërsa benzina është rritur me tetë lekë. Nga 188 lekë në pikën e karburanteve tregtohet me 196 lekë. Kjo është rritja e tretë brenda një muaji. Më 16 korrik nafta tregohej me 179 lekë. Me tre ndryshimet e pësuara në një muaj, në total nafta ka pësuar rritje deri 16 lekë për litër.

Operatorët e tregut thonë se tendenca është e lidhur me shtrenjtimin e karburantit në bursë, ku treguesi Platts, që merret si referencë nga importuesit shqiptarë, u mbyll të premten me 940 dollarë për ton, që është niveli më i lartë që nga tetori i vitit 2022.  Tendenca duket për shtrenjtim të mëtejshëm drejt 1000 dollarëve. Ndikim ka edhe kursi i këmbimit të dollarit që është ka pësuar ulje.

Për qytetarët të cilët e përdorin makinën si një mjet pune përkthehet në kosto më të larta për xhepat e tyre.

“Janë shumë shtrenjtë. Na ndikon shumë në aktivitetin e përditshëm se jemi në lëvizje gjithmonë”, thotë një qytetar.

“Rritja e çmimit të karburantit ndikon se është një kosto shtesë për ne. Herën e fundit që kam mbushur makinën ishte 173 lekë, nëse rritet do e lëmë makinën në shtëpi”, thotë një tjetër drejtues automjeti.

Për shoferët e taksive luhatja e çmimit të karburanteve ndihet më së tepërmi teksa punojnë çdo ditë me orare të zgjatura.

“Janë rritur sa s’ka ku të vej më. Na ka iku truri. Di që janë rritur çmimet nuk është e këndshme. Është kosto për ne shoferët më shumë seç duhet, shprehet një qytetar.

Shqiptarët konsumuan vitin e shkuar rreth 430 milionë litra naftë dhe benzinë, apo gati 36 milionë litra në muaj. Nëse kjo rritje çmimesh me 10 lekë do të zgjasë, atëherë pritet t’u kushtojë çdo drejtuesi mesatarisht 1 mijë lekë në muaj, ndërsa në total do të arkëtohen gati 3.5 milionë euro më shumë.

Krahasuar me rajonin sipas shoferëve këto çmime janë më të larta.

“Po të bëjmë krahasim se dalim dhe në zonën e Ballkanit, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni ka diferencë të madhe me këto shtete”.

“Po të llogarisësh me Greqinë, ne e kemi shumë më shtrenjtë se këtu. Na rëndon shumë imagjino kur Greqia është 1 mijë vjet para nesh dhe e ka 165 lekë, këtu është 185 lekë, është shumë lartë”.