Monedha e përbashkët ka shënuar rritje gjatë ditës së sotme, pas një jave radhazi në rënie të fortë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 125.92 lekë, me një rritje prej 0.48 lekë në krahasim me ditën e mëparshme.
Që nga 19 marsi euro dhe valutat e tjera kanë shënuar luhatje të mëdha. Në 30 mars euro i kaloi 131 lekë nga 123 lekë që ishte në 19 mars, si rrjedhojë e kufizimit të lëvizjeve që reduktoi rrugët e hyrjes së valutës. Më pas tregu u qetësua dhe ditën e djeshme euro ra në 125.44 lekë.
Aktorët e tregut pohojnë se rritja e menjëhershme dhe me pas rënia në vlerën e këmbimit të euros me lekun vendas reflektoi efektin sustë. Tani euro po shkon drejt stabilizimit, e cila do të jetë një vlerë e ndërmjetme midis pikës më të lartë dhe asaj më të ulët. Ekspertët shtojnë se tani këmbimi i euros po shkon drejr normalizimit dhe tregu po reflekton çmime reale, të cilat dalin nga kërkesa dhe oferta. Të gjitha ata qe kishin për të shitur dhe për të blerë, i realizuan veprimet e tyre gjatë rritjes dhe rënies së fortë, ndërsa këtë javë do të kemi të bëjmë më blerje reale.
Megjithatë ekspertët shtojnë se luhatjet e mëdha të kursit kanë krijuar hapësira për spekulantët. Kërkesa për valutë nuk është e lartë nga bizneset, për shkak të volumeve të ulëta të aktivitetit ekonomik. Si rrjedhojë, sipas ekspertëve nuk ka arsye që euro të kërcejë sërish, por gjithsesi, siç e theksojnë shpesh, në kohë të pasigurta parashikimet janë gjithnjë shumë të vështira./Monitor