Kërkesat për kredi për banesa kanë shënuar rritje në tremujorin e parë të këtij viti. Edhe pse kushtet e kreditimit janë vështirësuar, pasi bankat e nivelit të dytë kërkojnë më shumë garanci për dhënien e një huaje.
Rritja vjetore e këtij portofoli u përmirësua në 4.5%, përkundrejt 3.2%, që shënonte një tremujor më parë.
“Zhvillimet pozitive në tregun e banesave dhe perceptimi për arritjen e nivelit minimum të normave të interesit, kanë nxitur kërkesën për kredi. Gjithashtu, kjo kërkesë është shoqëruar me një përqasje më favorizuese të bankave ndaj këtij segmenti, jo vetëm nëpërmjet kushte çmim më të mira, por edhe nëpërmjet atyre joçmim. Në fund të muajit shkurt, kredia konsumatore përbënte 29% të portofolit të kredisë për individë, ajo për banesa 65.7% dhe pjesa tjetër është kredi për ushtrim aktiviteti.”-thuhet në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë.
Sipas të dhënave nga BSH, rritja e kreditimit në lekë është vërejtur si për kredinë për konsum, ashtu edhe për kredinë për banesa.
Zgjerimi i portofolit të kredisë konsumatore vijoi me norma të larta rritjeje, prej 9.8%, edhe në dy muajt e parë të vitit. Kjo rritje është mbështetur edhe nga ofertat e bankave për kredi pa kolateral, si dhe nga përmirësimi i infrastrukturës së shërbimit të klientëve, të cilat ndihmojnë në forcimin e marrëdhënieve të bankave me klientët e tyre individë dhe nxisin kërkesën për kredi. Paralelisht me rritje ka qenë edhe kredia për banesa.