Rritet sërish numri i personave të prekur me koronavirus në vendin tonë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, përgjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitiv 153 persona.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 847 testime për të dyshuar të prekur nga COVID-19, ku përfshihen përfshihen edhe testime të kryera në laboratorët jo publike, ndërsa 153 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 61 raste në Tiranë, 20 në Korçë, 12 në Durrës, 11 në Shkodër, 9 në Vlorë, 8 në Elbasan, nga 6 raste Lezhë, Mirditë, nga 3 raste Kavajë, Malësi e Madhe, nga 2 raste Kurbin, Tropojë, Mat, Maliq, nga 1 rast Krujë, Fier, Has, Berat, Përmet, Kuçovë”, raportoi Dr. Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik.
Fatkeqësisht, katër pacientë të tjerë nuk kanë mundur ta fitojnë betejën me virusin.
“Me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe infermierëve në dy spitalet Covid, betejën me këtë virus të rrezikshëm nuk e kanë fituar një 64 vjeçar nga Durrësi, dhe 3 qytetarë nga Tirana: një 81 vjeçar, një 85 vjeçare dhe një 87 vjeçar”.
Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 193 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 13 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar. Ndërkohë 130 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin e rrezikshëm në 24 orët e fundit, duke e çuar në 6106 që nga fillimi i epidemisë.