Durrësi vijon të jetë vatra kryesore e virusit Covid-19. Nga 15 rastet e reja gjatë 24 orëve, pothuajse të gjithë janë në Durrës, kontakte të punonjësve të fasonerisë në këtë qytet.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 186 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar pozitivë 15 raste. 13 raste në Durrës, 1 në Tiranë dhe 1 në Shkodër, kontakte të rasteve të mëparshme pozitive”, tha Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë.
Gjendja në spitalin e vetëm Covid, atë Infektiv, vijon të mbetet e njëjtë.
“Gjendja në spitalin infektiv paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 15 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive”.
Numri i personave të prekur me Covid ka arritur në 964, por 79 % e tyre janë shëruar.
“Të shëruar janë 16 qytetarë. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me Covid-19 në të gjithë vendin 964 qytetarë. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar”.
175 të infektuarit aktivë janë të shpërndarë vetëm në 4 qytete.
“Në vendin tonë aktualisht janë 175 persona aktivë me Covid-19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër”.
Ndërkohë që vijon testimi serologjik në QSUT. Deri tani janë kryer 13 mijë testime, 1 mijë vetëm në personel shëndetësor i cili ka rezultuar pozitiv në 8 % të rasteve.